Sektori për Punë të Brendshme në Kumanovë ka ngritur padi kundër personave O.P.(58) nga Kratova dhe V.L. (64) nga Kumanova, për vepër të kryer penale “punë të pandërgjegjshme në shërbim”, shkruan Gazeta Lajm. “I pandehuri i parë si inspektor i autorizuar i ndërtimtarisë në Sektorin për mbikëqyrje inspektoriale në komunën e Kumanovës, në mars të vitit 2017 pasi ka konstatuar se ndërtimi i një strehe (ballkoni) në objektin e realizuar nga personi juridik „Pinus Kompani” Kumanovë është në kundërshtim me ligjin për ndërtim, ka përgatitur vendim për largimin e strehës së ndërtuar në kundërshtim me ligjin. Pasi që investitori nuk e ka larguar strehën, i pandehuri nuk ka ndërmarrë masa dhe nuk u ka shqiptuar gjoba personit juridik dhe personit përgjegjës në vlerë prej 9.100 eurove duke e dëmtuar buxhetin e Republikës së Maqedonisë. E pandehura e dytë, si udhëheqëse e Sektorit për mbikëqyrje inspektoriale, largimin e objektit të ndërtuar në mënyrë antiligjore nuk e ka vendosur në Programin për rrënim, kurse nuk ka kryer edhe mbikëqyrjen e nevojshëm ndaj punës së pandehurit të parë dhe nuk ka ndërmarrë masa plotësuese për dënimin e personit juridik”, njoftoi MPB.