E zhveshën, kryen marrëdhënie dhe e torturuan! Prokurori zbardh kamerat: Si u vra barbarisht Marigona Osmani

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj dje është mbajtur seanca fillestare ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të dyshuar për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani.

Në sallën e gjykatës me një numër të madh të forcave të Njësisë Speciale, u sollën dy të akuzuarit. Krivaqa krahas përcjelljes së madhe me policë, kishte të veshur edhe jelekun antiplumb.

Gjithë procesin nga afër e përcollën edhe prindërit e tashmë të ndjerës, Marigona Osmanit, si dhe familjarë të tjerë. Asnjëri nga dy të pandehurit nuk pranoi fajësinë për akuzat me të cilat ngarkohen.

Krivaqa shfrytëzoi të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje, ndërsa Sejdiu u deklarua i pafajshëm. Prokurori i rastit, Valdet Avdiu, lexoi një pjesë të aktakuzës.

“I pandehuri, Dardan Krivaqa më datën 21 gusht 2021 në banesën e tij në rrugën ‘Ramadan Rexhepi’ në Ferizaj pa pëlqimin e saj e detyruan të ndjerën, Marigona Osmani të kryejë marrëdhënie seksuale, e cila përcillet me tortura në atë mënyrë që fillimisht pa dëshirën e saj ka kryer marrëdhënie seksuale në sallon. Pas kryerjes së aktit seksual, të njëjtën e zhvesh dhe e dërgon në banjo”.

“Nga aty me dhunë e dërgon në dhomën e gjumit, mirëpo me kalimin e kohës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore si pasojë e dhunës së ushtruar, humb aftësinë… E ku edhe në dy raste, në mbrëmje kryhen marrëdhënie seksuale pastaj të zhveshur e dërgon në banjo dhe ku i vërehen lëndimet me çka krijohet vepër penale ‘dhunimi’… I pandehuri, Arbër Sejdiu më datën 21 gusht 2021 me dashje i ndihmon në kryeje të veprës penale ‘dhunimi’ në atë mënyrë që fillimisht kontaktojnë përmes telefonit dhe takohen në qytet pastaj së bashku kthehen në banesë i pandehuri Arbër Sejdiu posa mbërrin duke qenë në dijeni se i pandehuri Dardan Krivaqa është duke dhunuar tani të ndjerën Marigona Osmani me dashje”, thuhet në aktakuzën që lexoi Avdiu.

Tutje, thuhet se të akuzuarit kishin tentuar t’i fshinin video-incizimet e kamerave që ishin të vendosura në banesën ku kishte ndodhur krimi.