Prokuroria Themelore Publike në Tetovë ka lëshuar Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër një 65-vjeçari nga Tetova, ndaj të cilit ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale – Vrasje, sipas nenit 123, paragrafi 2, pika 2 e Kodit Penal.
Gjatë një akti dhune në familje dhe pas një debati të shkurtër mes tyre, i dyshuari, me dashje, i mori jetën të birit të tij 39-vjeçar me një armë gjahu që e posedonte me leje. Ata jetonin së bashku në të njëjtën banesë.
Plumbi e goditi viktimën në kraharor, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme. I dyshuari qëndroi në banesë pranë trupit të pajetë të viktimës derisa u gjet nga autoritetet.
Prokurori kompetent publik i dorëzoi gjykatësit të procedurës paraprake një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.