E vërteta për Ilindenin. Komitët dogjën fshatrat shqiptare


Agjencia e lajmeve INA ju sjell shkrimin e Halim Purellkut për të vërtetën e hidhur për kryengritjen e Ilindenit.

Mizoritë ndaj shqiptarëve në fazën e parë të kryengritjes

Kryengritja e Ilindenit filloi që në mbrëmje të 2 gushtit të vitit 1903, me aksionet e para të armatosura në sanxhakun e Manastirit, përkatësisht në pesë (5) kazatë e këtij sanxhaku, dhe atë: në kazan e Manastirit, të Kërçovës, të Përlepes, të Ohrit, të Follorinës, në një pjesë të kazasë së Kastories, si dhe në disa fshatra të kazasë së Kajllarit të sanxhakut Selfixhe.63 Për bandat dhe kryengritësit gjithherë cak i presionit dhe i sulmit ishin fshatrat me popullatë të besimit mysliman.64

Kështu, në natën e 2 gushtit dhe gjatë 3 gushtit të vitit 1903, krahas sulmeve të armatosura ndaj postave ushtarake dhe objekteve strategjike të infrastrukturës, bandat komite bullgare dhe kryengritësit sulmuan edhe popullatën civile në fshatrat shqiptare e turke në sanxhakun e Manastirit e jashtë tij. Fillimisht ata sulmuan mbi gjashtë fshatra shqiptare në zonat e Manastirit, të Resnjës, të Krushevës dhe të Kërçovës. Gjatë këtyre aksioneve, kryengritësit ua vënin flakën shtëpive dhe vërrinit (kasolleve me kashtë, bar dhe drithë), si dhe tentonin të hynin nëpër fshatra. Përpara sulmit të bandave bullgare, fshatarët shqiptarë e turq ishin të detyruar të vetëmbrohen, me ç’rast u zhvilluan përpjekje të armatosura në fshatrat shqiptare; Lerë, Kazhan, Ramna, Zmirnevë, Dolencë, Pribillcë, Morgaç dhe Çerkes Koy etj. Por, pas luftimeve që zgjatën disa orë sulmet e komitëve mbi këto fshatra dështuan. Me ç`rast nga radhët e shqiptarëve u vra një grua (në fshatin Dolencë) dhe u dogjën disa hambarë dhe mullarë me barë. Sulmet e komitëve mbi fshatrat shqiptare e turke të sanxhakut të Manastirit vazhdonin edhe në ditët në vijim. Pothuajse për çdo natë, komitët dhe kryengritësit bullgarë ua venin zjarrin një vargu kullash dhe pronash të shqiptarëve e turqve, kurse ndër fshatra popullatës shqiptare e turke ua rrëmbenin bagëtinë.65 Në vazhdim më në detaje ndjekim sulmin e bandave komite dhe pasojat nga këto sulme, në vendbanime të zonave të caktuara të Vilajetit të Manastirit.

Nga ngjarjet më të shënuara të natës së parë të kryengritjes, më 2/3 gusht 1903, ishin prerja e të gjitha linjave telegrafike dhe sulmi i kryengritësve ndaj kasabasë (qytezës) së Resnjës, si dhe ndaj shumë fshatrave shqiptare të kësaj treve. Atë natë, sulmi i kryengritësve kundër Resnjës u mbraps, vetëm pak shtëpive ua vunë zjarrin, kurse numri i viktimave në këtë qytezë ishte i vogël. Në mbrapsje nga Resnja, kryengritësit sulmuan shtëpitë dhe pronat e fshatrave shqiptare, dhe atë: në fshatin Podmoçan, ata plagosën dy fshatarë dhe tre çobanë si dhe e dogjën hanin në afërsi (Hani i Shyrit), si dhe në fshatrat Carevdvor, Nakolec (seli e nahisë), German, Rëmbi, Medovë, Shtërkovë, Pëpli dhe Vapillë. Lufta në këto fshatra zgjati afërsisht tri ditë, kurse popullata e këtyre fshatrave u zhvendos në Nakolec. Bandat komite i pushtuan dhe i shkatërruan-rrënuan këto fshatra shqiptare: Pople dhe Rembi në liqenin e Prespës, Lahci e Bukovë pranë Resnjës, kurse Nakoleci u mbrojt me trimëri kundër bandave. Bilanci i akteve terroriste të bandave komite dhe të kryengritësve në këtë ndër fshatrat shqiptare të kësaj zone ishte: u dogjën gjithsej 42 shtëpi, 41 kasolle, 3 kulla, 3 hane dhe 1 karakollë, si dhe rruga për në Korçë u shkatërrua vende-vende. Njëkohësisht, bandat ua rrëmbyen (plaçkitën) fshatarëve sasi të mëdha të të mirave materiale; bagëti, drithë etj.66

Në nahijen e Demir Hisarit komitët dhe bullgarët, në natën e 2 gushtit, rrethuan dhe sulmuan fshatrat shqiptare Pribillc, Novoselë, Çerkes Koj, Murgash (Murgashevo), Obednik, Koçishtë, Krushje dhe Leva Reka. Luftimet e komitëve e kryengritësve me popullatën e këtyre fshatrave vazhduan deri në agim, dhe përfunduan me mbrapsjen e kryengritësve dhe me humbje reciproke relativisht të vogla. Me ç’rast komitët e kryengritësit i dogjën; në Koçishtë 3 shtëpi dhe 4 kasolle, kurse në Çerkes Koj i dogjën 5 kasolle.67 Pribillci u sulmua sërish më 10 gusht 1903.68

Sulmet e komitëve dhe kryengritësve mbi popullatën civile shqiptare dhe pronat e saja, në fshatra të kazasë së Manastirit, do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim: Më 3 gusht, kryengritësit vazhdonin të mbanin nën zjarr të përhershëm gjashtë fshatra shqiptare e turke.69 Në natën e 7 gushtit ata e rrethuan fshatin Tërnovë dhe hapën zjarr të furishëm…(vijon)