E tmerrshme: Arsimtari në Lipjan denoncohet për ngacmim seksual të nxënëses 13-vjeçare

Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve, sulmeve seksuale e dhunimeve. Këto raste bëhen edhe më të tmerrshme kur dyshohet se ndodhin në institucione arsimore, sidomos në shkolla fillore, ku viktimat janë të mitura. Për një denoncim të tillë, Prokuroria Themelore në Prishtinë tashmë ka nisur hetimet, raporton Gazeta Sinjali.

Siç merr vesh Sinjali, rasti dyshohet se ka ndodhur në shkollën fillore “Vezir Kolshi” në fshatin Resinoc të Lipjanit, ku një arsimtar po dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një nxënëse 13-vjeçar.e

Hetimi për rastin është iniciuar gjatë ditës së djeshme, pasi Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.

Në bazë të informacioneve të para, rasti është denoncuar fillimisht më 10 mars, ku prindi i vajzës ka kërkuar ndihmën e Policisë, duke raportuar se një arsimtar e kishte ngacmuar të bijën e tij.

Si rezultat i raportimit, mësimdhënësi është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar si i dyshuar lidhur me rastin, teksa deklaratë për atë që dyshohet se kishte ndodhur ka dhënë edhe nxënësja e mitur.

Lidhur me rastin, janë marrë edhe deklaratat e disa dëshmitareve dhe më pas me urdhër të Prokurorit të Shtetit është hapur rasti në drejtim të veprës penale “Ngacmim seksual”.

Deri më tani, akoma nuk është urdhëruar masa e ndalimit policor ndaj mësimdhënësit të dyshuar.