E rendë: Ja pse largohet nga lista për kurim në Turqi kuzhinieri…


Përveç Fidan Gashit edhe një pacient në gjendje kome është larguar nga lista për t’u dërguar për shërim në Turqi pas lëndimeve të marra gjatë shpërthimit të një bombole gazi në një restaurant në Ferizaj. Pronari i restaurantit, “Steak House” Genc Sopa dhe kuzhinieri Enver Xhokli ishin ndër më të lënduarit nga ky shpërthim, por ky i fundit u largua nga lista për t’u dërguar jashtë vendit.

Familjari i tij Ardian Ramadani ka vlerësuar se kjo është bërë padrejtësisht, pasi Xhokli ende është në gjendje kome dhe po lu fton për jetë. Ramadani ka thënë se në listë gjendeshin 6 persona por dy janë larguar pasi mjekët u kishin thënë se gjendja e tyre është në përmirësim e sipër.

“I kanë miratuar vetëm 4 për t’i dërguar në Turqi, e në mëngjes mjeku i ka konfirmuar që 6 persona janë për trajtim jashtë vendit, kurse në mbrëmje e morëm lajmin që i kanë larguar gjoja se është më mirë, kurse Enveri është në gjendje kritike dhe mjekët privatisht na kanë thënë që të bëjmë çmos ta dërgojmë edhe Enverin atje. Përveç Gencit që është më shumë i lënduar, të pestit janë në gjendje njësoj të rëndë.

Enveri është në komë, në aparate është në gjendje tejet të rëndë, ai i ka katër fëmijë dhe gjendjen ekonomike nuk e ka aq të mirë. Ne kemi biseduar edhe me Agim Aliun, i cili tha se MSH-ja gjoja i ka thënë se në spitalin e Turqisë nuk ka vend, nuk e dimë saktë arsyejen, na thënë që për momentin janë larguar prej liste pasi janë në gjendje pak më të mirë, a ai është në komë”, tha ai për IndeksOnline.

Në shpërthimin e së martës mbetën të lënduar 43 persona. Ndërsa, sot në orët e para të mëngjesit drejt Turqisë janë nisur dy të lënduarit e parë, ku priten të dërgohen edhe 2 të tjerë. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj. Eshtë dërguar pyetje në adresë të Ministrisë së Shëndetësisë për të pyetur përse janë larguar nga lista Enver Xhokli dhe Fidan Gashi, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje