E rëndë: Djali 20-vjeçar në Prishtinë e rrah nënën dhe tenton ta dëbojë nga shtëpia

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ka ndodhur së fundmi në një familje në fshatin Bardhosh të Prishtinës, ku një grua është përballur me dhunë nga djali i saj, 20-vjeçar, me të cilin qe një kohë ka probleme.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se ky rast ka ndodhur në shtëpinë e tyre, ku plasi sherri pas një mosmarrëveshje verbale mes nënës dhe djalit, i cili më pas e sulmoi fizikisht dhe tentoi ta dëbojë.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.

Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar rasti tjetër për kryerjen e veprës penale “Dhunë në familje”.