E quajti ndërmarrje kriminale – Vetëvendosje i reagon ashpër Thaçit


Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentit Hashim Thaçi, i cili e quajti partinë e Albin Kurtit, ndërmarrje kriminale, shkruan Insajderi.

Kreu i shtetit ka thënë se ai gjendet në shtëpinë e tij, derisa ka ftuar ushtruesin e detyrës se ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe shefin e tij, Albin Kurtin, që të shkojnë nëse duan.

Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj këtyre deklaratave, duke e quajtur kërcënim, deklarimin e presidentit Thaçi.

“Thaçi dukej në siklet të madh, edhe kërcënimin e bëri me zë të dridhur!”, ka shkruar Haxhiu në rrjetin social Facebook.

Reagimi i presidentit erdhi pasi ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se edhe Thaçi duhet të karantinohet nëse e ka pasur në veturë kryetarin e AKR-së, Behgjet Pacolli.