E pickoi merimanga, ndërron jetë një turist në Greqi

Burri që u pickua nga një merimangë e helmueshme kafe në Pargos, në perëndim të Greqisë, nuk arriti të mbijetojë! Mediat lokale raportojnë se 48-vjeçari të martën e kaluar pasdite shkoi në spital me dhimbje të tmerrshme në këmbë, por deri atëherë nuk kishte kuptuar se bëhej fjalë për pickim. Më parë ishte kontrolluar nga një ortoped privat, i cili menjëherë e kishte dërguar në spital.

Gjendja shëndetësore e personit u përkeqësua një ditë më vonë, ai zhvilloi simptoma që tregonin se bëhej fjalë për pickim, dhe stafi mjekësor bëri përpjekje për ta mbajtur atë gjallë.
– Pavarësisht përpjekjeve mbinjerëzore të stafit, pacienti në fund nuk arriti të mbijetojë. Për fat të keq, dihej që nga fillimi se kjo ishte e pashmangshme. Incidente të tilla rrallë përfundojnë mirë. Ne u përpoqëm shumë – thanë nga spitali.
Mediat raportojnë se burri, i cili ishte me pushime në Greqi, u pickua lart në pjesën e kofshës së këmbës, por nuk e kishte vënë re kur ishte pickuar.
– Nga përshkrimi, mendojmë se bëhet fjalë për pickim nga një merimangë kafe. Nuk ekziston kundërhelm dhe përparimi i saj është përgjithësisht mjaft i shpejtë, edhe pse në fillim nuk duket se është diçka serioze. Përkeqësimi ndodh papritmas 72 orë pas pickimit – thanë nga spitali.
Merimanga kafe mesdhetare, që është e njohur edhe si “merimanga e vetmuar”, është pak e studiuar. Në pjesën e përparme të trupit ka një shenjë të dukshme që i ngjan një violine.
Ajo është aktive natën, ndërsa gjatë ditës fshihet nën gurë dhe gjethe.