E përdhunuan që në moshën 12-vjeçare/ “Fusnin njerëz në konvikt dhe nëse nuk bëja shumën ditore…”

Rasti i përdhunimit të 15-vjeçares në qytetin e Tiranës tronditi opinionin e gjerë publik duke sjellë një reagim të shpejtë nga shoqëria dhe instancat përkatëse. Përpara disa ditësh vetë moderatorja e programit “Dua të të bëj të lumtur”, Arbana Osmani nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale tregoi se në emision do të trajtohej një rast tjetër përdhunimi shumë vite më parë në qytetin e Shkodrës. Në studion e programit mbrëmjen e sotme kishte ardhur Adriana, vajza 27-vjeçare e cila rrëfeu historinë tronditëse të jetës së saj.

Adriana tregoi se ishte rritur në shtëpinë e jetimores në Shkodër dhe se në moshën 12-vjeçare, roja i jetimores kishte abuzuar seksualisht me të për një kohë të gjatë. Ajo rrëfeu se roja e kërcënonte me jetë nëse do t’i tregonte dikujt për veprimet e tij, por Adriana zbuloi se të gjitha vajzat e në kësaj jetimore abuzoheshin seksualisht. Sipas rrëfimit të Adrianës, në jetimore nuk ishte vetëm roja që ushtronte dhunë seksuale e fizike, por edhe mësuesit e kujdestarët.
Përgjatë gjithë fëmijërisë së saj, Adriana ishte abuzuar seksualisht derisa kishte mbushur moshën 18-vjeçare dhe ishte detyruar që të largohej e të shkonte në konviktin e vajzave “Safet Spahiu” në Shkodër. Në këtë konvikt vajzat më të mëdha në moshë se Adriana ishin shndërruar në tutore duke i detyruar të tjerat që të kryenin marrëdhënie seksuale kunddrejt pagesës. “Ato fusnin njerëz në konvikt dhe nëse nuk bëja shumën ditore të caktuar më rrihnin, më linin të flija nëpër korridore!”.- ishte rrëfimi shokues i Adrianës.
Gjatë rrëfimit të Adrianës u zbulua se ajo nuk kishte duruar më gjendjen në të cilën ndodhej dhe kishte shkuar të denonconte në vitin 2015 përdhunimin që i ishte bërë, por fatkeqësisht polici që e kishte pritur kishte abuzuar seksualisht me të. Menjëherë pas këtij episodi stafi i programit “Dua të të bëj të lumtur” kishte dorëzuar në Prokurori dosjen e Adrianës sëbashku me rrëfimin e saj, për të kërkuar drejtësi për ngjarjen e ndodhur.
Pas denoncimit të bërë nga programi, Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Policinë e Shtetit, arrestoi ditën e premte shefin e Stacionit Policor Fushë- Arrëz, i dyshuar për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”.
Adriana kishte zgjedhur programin “Dua të të bëj të lumtur” për të bërë të mundur që zëri i saj të dëgjohej, por edhe për të falenderuar psikologen, Enidën për mbështetjen dhe kurajon që i kishte dhënë gjatë gjithë kësaj kohe për të përballuar të gjitha vështirësitë.
Në fund programi “Dua të të bëj të lumtur” në bashkëpunim me Fondacionin “Golden Eagle” i lidhën një pension me një afat të gjatë për të ndihmuar Adrianën të përballojë jetesën.