E mrekullueshmja Drenusha Palloshi sjell simfoni ngjyrash në pentagram tek ekspozita e saj!

“SIMFONI NGJYRASH NË PENTAGRAM“- EKSPOZITA E PIKTORES DRENUSHA PALLOSHI

Për të tretën herë me radhë, në Galerinë e Arteve Pamore në Tetovë piktorja Drenusha Palloshi hap ekspozitën personale të titulluar “Simfoni ngjyrash në pentagram“. Si në jetën e saj, ku çdo gjë ndërlidhet ngushtë mes të bukurës që nxjerr krijuesja nga muzika dhe arti edhe ato 23 piktura që u shfaqën para publikut ngjallën një frymë të hareshme. Simfonia e notave dhe ngjyrave të jep ndjenjë pozitive dhe energji të mjaftueshme ndërsa kjo pikërisht na duhet të gjithëve në këtë periudhë.

Suksesi i një artisti apo krijuesi është kurorëzimi i punës së tij, e në veçanti kur sheh rreth vetes një përkrahje të madhe nga kolegët, miqtë dhe profesorët të cilët njëkohësisht janë edhe kritikët më të mëdhenj të punës sonë, thotë Drenusha Palloshi. Shton se çdo artist në vete duhet të ketë një motiv, ndërsa në jetën e saj ku çdo gjë ndërlidhet me muzikën dhe pikturën, puna gati një vjeçare u finalizua me simfoninë e ngjyrave në pentagram dhe kulmoi kënaqësinë të cilën iu dha mundësia ta prezantojë para artdashësve.

“Ka gati një vit që kam menduar për këtë ekspozitë. Edhe në ciklet e mëhershme të pikturave të mija kanë qenë të ndërlidhura me muzikë mirëpo ndoshta në një mënyrë apo teknikë pak me ndryshe. Kanë qenë me një hedhje më spontane të ngjyrave, ishin më abstrakte dhe ishte ajo kohë kur unë mendoja se si të dal nga ajo teknikë te kjo që dua tani ta shpalos.“

Ajo tregon se gjatë periudhës kur punonte në pikturat e ekspozitës, vazhdimisht me lindjen e ideve të reja ndjeheshte nevoja për rritjen e numrit të pikturave. Nga 15 sa ishin planifikuar numri i pikturave arriti në 23 dhe gjithë kjo falë inspirimit që gjente brenda vetes.

“Për të krijuar, për të bërë një cikël pikturash duhet të kesh një motiv që të përshkruan ty si njeri. Në këtë rast mua më motivon muzika që e kam pjesë timen dhe askush nuk mund të thotë se pse duhet të bashkohet muzika me pikturën. Sepse ajo është një pjesë e jetës sime. Ajo jam unë. “

Drenusha flet për përvojën e saj si profesoreshë unversitare ku ndjen një përmbushje të jashtëzakonshme. Thotë se të kesh fatin të jesh inspirim për gjenerata e reja është një ndjenjë që vështirë mund të përshkruhet.

“Është një pjesë tjetër shumë e rëndësishme në jetën time e cila më përmbush mua moralisht dhe më plotëson, ai është aspekti i dhënies së mësimit në Universitetin e Tetovës, në Fakultetin e Arteve. Kur unë punoj me studentët dhe shoh kënaqësinë e tyre me atë se çfarë ju ofroj ndjehem edhe më e plotësuar. Ndjej fat që jam aty dhe merrem profesionalisht me këtë punë. Ndjesi dhe kënaqësi të bashkëpunosh, të merresh me studentët, të ju tregosh aftësitë e tua atyre dhe të kenë inspirim.”

Tanimë në këtë cikël të punimeve ajo ka krijuar identitetin e saj, thonë kritikët e artit. E veçanta e krijimtarisë së saj është koloriti shumë i pasur i cili e dallon çdo pikturë në bazë të harmonisë që ka sjell krijuesja me kombinimin e një palete shumë të pasur të ngjyrave. Ato janë gërshetim i dashurisë për muzikën dhe pikturën që Drenusha Palloshi i mban në shpirt dhe i aplikon në formë artistike nëpërmjet pikturës, çdo ditë.

Piktorja Drenusha Palloshi u lind në Tetovë në vitin 1989. Ajo ka mbaruar shkollën e mesme të muzikës ndërsa më pas ka vendosur që studimet ti vazhdojë në Fakultetin e Artit Figurativ ku ka përfunduar edhe magjistraturën. Talentin e ka trashëguar nga babai i saj, piktori i njohur në vend Miftar Memeti i cili e ka përkrahur fuqishëm dhe ishte një ndër figurat më inspiruese por njëkohësisht edhe kritiku më i madh i veprave të saj gjatë rrugëtimit artistik.