E ke derën hapur biri im… ktheu!

Doli të luante në rrugicën e lagjes. Ajo cicëronte nga zërat tij dhe të moshatarëve.
Mami a do më blesh një biçikletë si kjo?
Po bir, po ktheje tani dhe eja të ikësh në shkollë. Dhe vazhdoi edhe pak të bënte xhiro. Buzëqeshja dhe zhurmat e mbushnin rrugicën me jetë. Ora vajti fiks për t’u nisur, por biri i bukur s’po dukej askund. Klithma dhe thirrje për ta sjell në shtëpi por askund nuk dukej koka e tij e bardhë.

Një mornicë përshkoi trupin e nënës. Vuri dorën në kraharor dhe s’e ndjente rrahjen e zemrës së të birit. Si mundet një nënë të mos e ndjejë zemërrrahjen e të birit? Dhe çastet u varën si shekuj, derisa ajo arriti në komisariat bashkë me babain e djalit. Minuta të gjata dhe klithma. Gjemani birin! Birin tim!
U nisën përsëri në rrugicën e cicërimave…, askund nuk dukej rrezja e bukur e shtëpisë. Nëna e ndjente, ia ndjente zemra e vrarë se biri nuk ishte më. E ndjente Zemra prej nëne. Kërkuan kudo, kërkuan edhe në qiell edhe nën tokë, me lutje.

“Zot kthema shëndosh birin tim”
Por në vend të birit gjetën gjurmën e gjakut që preu fijet e shpresës dhe të jetës; që shuajti si një shkrepëse e djegur shpresën për ta gjetur të gjallë.
Mbi një pirg balte dhe gjethesh dukej dora e bardhë e gishtërinjtë e shtrënguar e të kërrusur në grusht. Dorë që kërkonte jetën, donte të kapej pas saj… të jetonte.

Ohhhhh ç’klithma shpirti rendën ndër ajri. Klithmat e vdekjes, kënga e qyqes e mbetur me duar në gji.
“Bir hapi sytë shiko rreth të duan të tërë, të presin të kthehesh nga shkolla të cicërosh me këngën tënde refrenin e jetës.”
Por jo, tash vaji i vdekjes po kumbon kudo. Vaji i një jete të prerë në mes.

“Te vras se me shan” e ky është realiteti jot o i Bukur, ky është realiteti i të gjithë të dobtëve dhe të vegjëlve si ti. Sepse ti ishe i vogël. E në këtë tokë të jesh i vogël dhe të jesh femër është mallkim.
Zot mbaje dorën tënde, e mos na rrëzo të tërëve ashtu siç heshtim së bashku në kulturë kolektive të pranimit në heshtje të krimit, dhunimit, përdhunimit e çdo krimi tjetër deri në marrje të jetës.

Dora jote e bardhë, kërkon shpagim dhe drejtësi.
Ju lutem në emër të jetës mos e quani sëmundje mendore diçka që s’e dënoni dot, psikën tonë kolektive të Heshtjes…
Sot nuk mund të mbaj dot pesë minuta heshtje për ty vogëlush.

Sot ti je ime bijë, bija e tjetrit dhe biri i kujtdo qe ka paaftësinë për të gjetur të paktën drejtësi… për të lejuar një njomështinë të prehet në paqe, duke vënë të paktën një herë mbi këtë tokë drejtësi.
Drejtësi për sa gra të vrara, për sa vajza të përdhosura e të dhunuara, për sa femijë të dhunuar e të lënduar… për të gjithë.
Në emër të jetës, Drejtësi!

U prefsh në paqe biri im, na fal qe s’të mbrojtëm dot. Na fal që me gjirin nënat i mësuan djemtë që dhuna bën ligjin, i dobëti dhe femra vriten, dhunohen, masakrohen!
Falna bir qe s’ditëm të ndërtojnë rregulla dhe t’ ua mësojnë të vegjëlve që rriten se “Jeta nuk merret”!
Falna bir e prehu në paqe, për ne të tjerët s’ ka paqe derisa të mos ketë drejtësi…
Me lot në sy, me ndërgjegje me danga… për bijtë që s’ditëm t’i rrisim… për shoqëri që hesht derisa vjen vdekja…