“E kam rritur unë”, shprehja që gjyshërit nuk duhet ta thonë asnjëherë

Cheerful aged man smiling and embracing cute boy and girl while resting on couch at home together

Nga Lira Gjika

Gjyshet, gjyshërit duhen të ndihen të nderuar, që nënat e reja, u besojnë fëmijën e tyre. Është e vërtetë që gjyshja është më e zhdërvjellët se nëna e re në përkujdesjen ndaj fëmijës, por kjo nuk i jep të drejtën për të « pushtuar » vendin e nënës. Ajo si nënë e pjekur, e di se fëmija çdo gjë e kërkon nga nëna e tij. Detyra e saj parësore është asistimi i nënës së re dhe jo spostimi i saj.

Dëgjojmë shpesh gjyshe teksa deklarojnë « e kam rritur unë ». A i ka shkuar ndër mend se çfarë u përçon fëmijëve, nipërve dhe mbesave të saj të dashur kjo frazë? A i ka shkuar ndonjëherë në mend se në këtë rast u pohon atyre se “nëna e tyre nuk i do, nëna e tyre nuk është më, përderisa i rrit gjyshja”?

Edhe gjyshja kur ndjehet keq, “thërret” nënën e saj. Gjyshe e mirë është ajo gjyshe që fuqizon lidhjen e fëmijës me nënën dhe nuk zëvendëson nënën, por e siguron vazhdimisht fëmijën, se nëna e tij e do shumë dhe e ka lënë me atë, sepse beson te ajo (gjyshja).