E infektuara me koronavirus është motra e gruas shtatzënë që vdiq dje


Gruaja nga fshati Bokshiq i Klinës e cila është konfirmuar pozitive në testimet për koronavirus, para gjashtë ditësh, është motra e gruas shtatzënë nga Gjakova e cila vdiq në QKUK ku po trajtohej për koronavirus.

Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, ka treguar se janë marrë mostrat e 11 familjarëve të gruas nga Klina, dhe të gjithë kanë dalë negativë në testimet për koronavirus.

Kishte shkuar përvizitë te motra e saj shtatzënë që vdiq dje derisa ishtë e shtrirë në QKUK ku ishte duke u trajtuar për COVID-19.

Kështu, gruaja nga fshati Bokshiq i Klinës, pas kontaktit që kishte me motrën, rezultoi pozitive në testimet që iu bënë për koronavirus.

Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, tha për Express se gruaja nga Bokshiqi kishte shkuar e vetme në vizitë tek motra, megjithatë u testuan edhe anëtarët e tjerë të familjes së saj.

“Gruaja nga Bokshiqi është motra e pacientes që ka ndërruar jetë gjatë ditës së djeshme. Ajo është e konfirmuar pozitiv me COVID-19, pas kontaktit që ka pasur me motrën. Gjatë ditës së djeshme kanë dalë rezultatet për 11 anëtarë të familjes së saj dhe të gjithë kanë dalë negativë”, theksoi Elezaj.

Elezaj tha se gjatë ditës së sotme nuk ka mostra të reja nga Klina dhe se situata atje është stabile.

Ai theksoi se qytetarët po i respektojnë masat e vëna nga Qeveria e Kosovës, për të qëndruar në shtëpi, e po ashtu kohën e lejuar të lëvizjes.

Deri më tani në Klinë janë konfirmuar 5 raste me koronavirus. 2 prej tyre janë shëruar, derisa Elezaj tha se edhe një infermiere nga kjo komunë e cila punon në Prishtuinë, pritet që së shpejti të shërohet. Ajo ka dalë negative në testin e parë, derisa pritet t’i bëhet edhe testimi i dytë.

Ndërkohë, numri i personave të prekur me CCOVID-19 në Kosovë tashmë ka shkuar në 504.

Nga ta, 128 janë shëruar, ndërsa në tërë territorin e Kosovës kanë vdekur 18 persona.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, por do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill./Express