E diela ditë jo pune, do të punojnë vetëm ata që e kanë patjetër

Të dielën do të punojnë vetëm ata që e kanë patjetër të punojnë. Ministrja e punës Jagoda Shahpaska për Alsat është shprehur se punëtori që do të punojë të dielën duhet të marrë mëditje më të lartë për 50 % dhe një ditë pushim gjatë javës tjetër të punës. Sipas planit, të dielën do të punojnë pikat e karburantit, tregtia e rrymës, të gjitha llojet e transportit, sektori i gastronomisë, mediat, spitalet, sektori i telekomunikacionit, shërbimi zjarrfikës, shërbimet e varrimit, veprimtaritë komunale, muzetë, kopshtet zoologjike dhe shumë të tjera që do të definohen në këtë periudhë.

Në pjesën e rrjetit tregtar, propozim- ligji parashikon funksionimin vetëm të objekteve tregtare deri në 200 metra katrorë, të cilat janë pjesë e pikave të karburantit në pikat kufitare të aeroporteve, stacioneve të autobusëve dhe stacioneve hekurudhore. Për objektet e tjera tregtare, zgjidhja ligjore thotë se ato nuk do të punojnë të dielën – tha Jagoda Shahpaska- Ministre e punës dhe politikës sociale.

Anketa e kryer nga Lidhja e odave ekonomike mes anëtarëve të saj për këtë çështje, tregon se për 65% të kompanive, e diela do të jetë ditë pushimi për punëtorët. Por, janë të prerë se veprimtari të caktuara për nevojat e qytetarëve duhet të funksionojnë edhe të dielën.

Si përjashtim u përmendën objektet shëndetësore, kompanitë ushqimore, pikat e karburantit, objektet gastronomike për ushqim dhe pije si dhe qendrat tregtare që i përdorin qytetarët gjatë fundjavave, por që kanë edhe vizitorë nga vendet fqinje – thonë nga Lidhja e Odave Ekonomike. Nga Oda ekonomike besojnë se kjo zgjidhje ligjore do të sjellë dëm të madh në fushën e tregtisë.

Kufizimi i mundësisë për të punuar të dielave, ose imponimi i kostove shtesë për kompanitë ku puna gjatë të dielave është pjesë e procesit të rregullt të punës, do të ndikojë në produktivitetin e tyre, por edhe në konkurrencën e tyre në tregun rajonal dhe global kurse në të njëjtën kohë atraktiviteti i R. së Maqedonisë së Veriut si destinacion për investime të huaja mund të vihet në pikëpyetje – theksojnë nga Oda Ekonomike.

Sindikatat besojnë se do të ketë nevojë për më shumë kontroll, në mënyrë që punëtorët të mos keqpërdoren. Kërkojnë kontrolle se do të ketë paga më të larta. Vlerësimet fillestare janë se midis 150,000 deri 180,000 persona do të vazhdojnë të punojnë të dielën kurse rreth 450,000 punëtorë do të jenë të lirë. Inspektorati shtetëror i punës do të kryejë inspektime në terren. Kompania që nuk do ta respektojë Ligjin e ri të punës do të mbyllet prej 15 deri 30 ditë kurse pronari do të marrë dënim në të holla.