Katër anëtarë të një familjeje shqiptare janë gjetur të pajetë sot në Greqi. Babai, nëna dhe dy fëmijët e tyre janë gjetur të vdekur në shtëpinë e tyre në Andravida, Patra, raporton noa.al.
Në mediat greke fillimisht u raportua se autori ishte babai, i cili u tha se u vetëvra pasi vrau gruan dhe dy fëmijët e tyre.
Por informacionet e fundit lënë të hapur mundësinë që autori të jetë një person tjetër, i cili ka hyrë në shtëpi dhe ka vrarë të katërt pjesëtarët e familjes.
Mediat lokale raportojnë se fëmijët e vdekur janë gjetur brenda shtëpisë, me shenja mbytjeje, ndërsa babai dhe nëna ndodheshin në oborrin e shtëpisë, me plagë thike.
Fëmija i tretë i familjes i gjeti të vdekur
Zbulimet për atë që ndodhi në shtëpinë e familjes shqiptare, të ngrijnë gjakun. I vetmi anëtar i familjes që i shpëtoi mllefit të autorit ishte fëmija i madh rreth 11 vjeç.
Ai nuk ka qenë në shtëpi kur ka ndodhur krimi i rëndë. Kur ka shkuar në shtëpi ka gjetur të vdekur nënën, babanë, vëllanë dhe motrën.
Dëshmitarët raportojnë se banorët kanë parë fëmijën duke tërhequr zvarrë vëllanë e vogël në rrugë, duke kërkuar ndihmë.
Djali i mbijetuar, 11 vjeç, ishte fëmija i nënës me ish bashkëshortin e saj. Ajo pas martesës tjetër jetonte me të shoqin dhe tre fëmijë, përfshirë 11 vjeçarin që gjeti të vdekur dy vëllezërit 1 dhe 2 vjeç.
Në shtëpinë ku u gjet familja e shuar, ndodhen forca të forta policie, të cilat kanë rrethuar zonën, duke mbledhur prova dhe duke marrë dëshmi, në përpjekje për të ndriçuar rrethanat në të cilat ndodhi krimi i rëndë. /noa.al