E çuditshme! Falë Georgina Rodriguez rritet shitja e sallamit në Spanjë

Bum turistësh në Aragon, një rajon i Spanjës, sepse shitjet e longanizës dhe sallamit vendas janë në rritje.

E gjitha falë Georgina Rodriguez. Në dokumentarin e transmetuar nga Netflix, partnerja e Cristiano Ronaldos tregoi fëmijërinë dhe rininë e saj, teksa jetonte në Huesca, një qytet spanjoll me rreth 50 mijë banorë.

Aty, prindërit e saj, babai argjentinas dhe nëna spanjolle, u transferuan kur ishte tre vjeçe. Modelja dhe influencuesja tregoi vendet që ka dashur në fëmijëri dhe specialitetet tipike të vendit, duke përfshirë edhe Secallona, një lloj sallami i thatë.

Kaq ka mjaftuar për të tërhequr vëmendjen e turistëve, të cilët me shumicë kanë zgjedhur këto vende për pushimet verore. Muajt e fundit, shumë turistë kanë bërë ndalesa në qytetin ku Georgina ka jetuar deri në moshën 17-vjeçare. Përveç Huesca, edhe qyteti i Graus shfaqet në serialin “Soy Georgina”.

Aty, partnerja e CR7 gjeti punën e saj të parë në një hotel. Shumë prej tyre kanë vizituar bazilikën e Virgen de la Peña. Zona e Aragonit u shfaq në serialin dokumentar për vetëm 15 minuta, por kjo ishte e mjaftueshme për t’i bërë publicitet të madh në nivel ndërkombëtar.

Siç zbulohet nga zyra turistike e rajonit, vizitat janë trefishuar në këtë periudhë. Falë Georgina Rodriguez, shitja e sallamit Secallona është rritur gjithashtu në mënyrë eksponenciale, me kërkesa edhe nga New York dhe vendet e Amerikës së Jugut.

Në serialin dokumentar shohim 28-vjeçaren që ha me ëndje këtë lloj sallami dhe thotë: “Sa kënaqësi! Kam metabolizëm shumë të shpejtë dhe më pëlqen të ha”. Rodriguez tha se CR7 dhe fëmijët e saj janë gjithashtu të çmendur për këtë sallam.