Dyshohet se është vrarë nga bashkëshorti – Shqiptarja nga Kosova gjendet e vdekur në Zvicër

Të dielën në mëngjes, një grua 41-vjeçare zvicerane me origjinë nga Kosova u gjet e vdekur në një shtëpi në Bergdietikon AG pranë kufirit me kantonin e Cyrihut. Siç tregon hulumtimi i kësaj gazete, bëhet fjalë për Sh. I., e cila tashmë është portretizuar si një “kosovare model” në gazeta si “Revista” e “Tages-Anzeiger” apo “NZZ Folio”. Ajo ishte e njohur jo vetëm në diasporë por edhe në Kosovë, për këtë arsye media të ndryshme raportuan për vdekjen e saj.

Policia kantonale në Aargau konfirmoi se një palë e tretë ishte e përfshirë. Njerëzit e afërt të të ndjerës kishin lajmëruar policinë. Bashkëshorti i I. është arrestuar të hënën, ai është një maqedonas 47-vjeçar me origjinë shqiptare, i natyralizuar më shumë se 20 vite më parë.

Tutje, raportohet se zyra e prokurorit publik të Aargaut tani ka dërguar një deklaratë për media lidhur me rastin. Aty shkruan se ka hapur rast për vrasje me paramendim. Policia mori një thirrje urgjente të dielën ku thuhej se gruaja ishte mbyllur në banjo dhe nuk po i përgjigjej thirrjeve të familjarëve. Më pas policia kishte mundur të hapë derën, por ka gjetur të vdekur vetëm 41-vjeçaren.

Rrethanat e sakta dhe sfondi i krimit janë ende të paqarta, derisa hetimet po vazhdojnë, shkruan prokurori. Për bashkëshortin e arrestuar vlen prezumimi i pafajësisë.Vetëm dy vjet më parë, në Ditën e Biznesit të Lihtenshtajnit I. kishte deklaruar: “Pas çdo gruaje të fortë qëndron një familje edhe më e fortë!”.

Ajo kishte lavdëruar bashkëshortin e saj që u kujdes për dy djemtë e tyre gjatë pandemisë kur shkollat u mbyllën në mënyrë që ajo të mund të vazhdonte të punonte.I. së fundmi u bë partnere në një organizatë audituese dhe këshilluese amerikane në Zvicër.

Përveç kësaj, kontabilistja e certifikuar ka qenë edhe pedagoge në Universitetin e St. Gallenit.I. kishte shkuar në Zvicër në vitin 1990 kur ishte 9 vjeç. Prindërit e saj – akademikë që kishin studiuar në Prishtinë – kishin ikur nga qyteti i Gjilanit vite më parë, ata konsideroheshin të përndjekur politik. Bashkëshorti i I. ka gjasa të qëndrojë në burg edhe për disa kohë. Prokuroria në Baden ka bërë kërkesë për mbajtjen e tij në paraburgim në gjykatën e masave të detyrueshme.