Në fshatin Shtaval në komunën e Sjenicës në Serbi, të martën më 10 maj, kanë nisur gërmimet për dyshimet për një varreze masive me trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Komisioni për Persona të Zhdukur i Qeverisë së Serbisë, përmes një njoftimi ka konfirmuar nisjen e gërmimeve duke thënë se urdhri për nisje të këtij procesi është dhënë nga Prokuroria e Krimeve të Luftës në Serbi.
“Kërkimi i terrenit është i nevojshëm për të përcaktuar saktë nëse ka mbetje të personave të shpallur si të zhdukur, gjë që u dërgon një mesazh të qartë familjeve të tyre se autoritetet kompetente të Republikës së Serbisë kanë vendosur të kontrollojnë të gjitha informacionet për të gjetur të dashurit e tyre”, thuhet në njoftimin e Komisionit për Persona të Zhdukur të Qeverisë së Serbisë.
Deri tek vendimi për gërmime në këtë lokacion erdhi pasi Komisioni i Qeveritar i Kosovës për Persona të Zhdukur ofroi informacione për dyshime për varrezë masive. Autoritet serbe thanë se kërkimi i terrenit do të zgjasë deri në përcaktimin dhe sqarimin e fakteve që janë të nevojshme për të përcaktuar vendndodhjen e saktë të një varri të mundshëm masiv. Kryetari i Komisionit të Qeverisë së Serbisë për Persona të Zhdukur, Veljko Odaloviq, kishte paralajmëruar zhvillimin e gërmimeve në këtë lokacion më 27 prill të këtij viti./REL