Dyshimet e amerikanëve, fijet që lidhin Gruevskin me financimin e LSI-së


Investigimi i revistës prestigjioze amerikane “Mother Jones”, në lidhje me financimet e paligjshme të fushatës së lobingut nga ana e LSI, hap një pistë tejet të dyshimtë, mbi mundësinë që Gruevski, ish-Kryeministri i Maqedonisë, i njohur për politikat e tij pro-ruse dhe anti-shqiptare, të jetë një prej “bamirësve” të fshehur të Ilir Metës.

Sipas investigimit, LSI nënshkroi në muajin janar 2017 një kontratë me vlerë 15 mijë dollarë në muaj me “McKeon Group”, një kompani lobimi e drejtuar nga një ish-senator republikan.

Megjithatë, kjo kontratë u prish vetëm një muaj më vonë. Por, marrëdhënia e LSI me McKeon nuk përfundoi këtu. Pak ditë pas përfundimit të bashkëpunimit, “McKeon Group” nënshkroi një kontratë me vlerë 50 mijë dollarë në muaj, plus shpenzime, me një kompani qipriote të quajtur “Dorelita Limited”.

Kontrata me “Dorelita”-n kishte si qëllim të vetëm të promovonte LSI-në në Uashington, një fakt i mbështetur ky në investigimin e “Mother Jones” nga prova dhe burime të shumta. Pronari i dyshuar i kësaj firme është një oligark rus, i quajtur Oleg Deripaska, me interesa në industrinë e aluminit, por i përfolur në media edhe si një eksponent i krimit të organizuar në vendin e tij.

Megjithatë, sikur kjo lidhje të mos ishte mjaftueshmërisht e dyshimtë për LSI-në, nga investigimi del në dritë edhe një lidhje tjetër e errët, me ish-Kryeministrin e Maqedonisë, Nikola Gruevski.

Të dhënat e deritanishme tregojnë se kontrata e “Dorelita”-s, me përfitues LSI-në është nënshkruar nga një avokat grek, i quajtur Iraklis Fidetzis. Lidhja me këtë person u sigurua nga Vangjel Tavo.

Në vitin 2005, për llogari të Kontominasit, sipas provave të siguruara nga inteligjenca amerikane, Fidetzis negocioi me Gruevskin një marrëveshje korruptive, me përfitues “Magyar Telekom”, pjesë e “Deutsche Telekom”.

Hetimi i zhvilluar në Amerikë përfundoi me një gjohë prej 95 milionë eurosh ndaj “Magyar Telekom” dhe kompanisë së saj mëmë, për korruptimin e zyrtarëve të huaj. Dy drejtorë të kompanisë u gjobitën gjithashtu me 400 mijë dollarë.

Që prej atëherë, Fidetzis ka mbajtur marrëdhënie të ngushta me qeverinë e Gruevskit, duke shërbyer si ndërmjetës i tij në disa marrëveshje të tjera.