Dygjuhësia në polici, qeveria kundër Nuhiut

Qeveria e Maqedonisë së Veriut komenton shkurtimisht nënshkrimin e akteve normative nga ministri i Brendshëm, Agim Nuhiu, që i hap rrugë fillimit të procedurës ligjore për përdorimin e gjuhës shqipe në uniformat dhe emblemat e policisë. Ekzekutivit sot i dërguam 4 pyetje, që do të hidhnin dritë mbi hapat e radhës, mirëpo nga atje na kthyen një përgjigje, që nuk sqaronte asnjërën nga pyetjet tona.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut:
“Uniformat dhe shenjat e uniformave policore përcaktohen me dekret nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ministrat nuk kanë autorizimet për të miratuar dekrete..”
Sa i përket partive politike nga LSDM-ja insistojnë që qëndrimi i tyre është i njëjtë me qëndrimin e Qeverisë. Ndërkohë lideri i VMRO-DPMNE-së Hristjan Mickoski, tha se VMRO- DPMNE nuk luhatet nga qëndrimet e mëparshme rreth Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Nënshkrimi i akteve normative një ditë më parë nga ministri i Brendshëm, Agim Nuhiu, për dygjuhësinë në uniformat e policisë ka ngjallur një sërë reagimesh në rrjetet sociale dhe jo vetëm. Sekretarja Shtetërore në Ministrinë e Punëve të Brendshme Magdalena Nestorovska në reagimin e saj thekson.

Kjo është pjesë e analizës që po bën grupi i punës. Ka mendime të ndara, do të lëshohet një propozim nga Ministria i cila do të dorëzohet në Sekretariat për të parë nëse propozimet e dhëna nga Komisioni në lidhje me shtrirjen e dygjuhësisë së uniformave, do të jetë në atë nivel apo do të jetë më shumë ose më pak në varësi të kompetencës funksionale të njësive organizative do të thotë për njësitë që kryejnë këtë funksion” -tha Magdalena Nestorovska, sekretare shtetërore në MPB.
Nga Qeveria thonë se kur kjo çështje do të jetë në agjendën e ndonjërës prej seancave qeveritare, publiku do të informohet me kohë.