Dy vjet pas miratimit, Ligji për gjuhën shqipe nuk gjen zbatimin e duhur

Gjuha shqipe në institucionet shtetërore në nivelin qendror dhe atë lokal po zbatohet varësisht vullnetit politik dhe dëshirës së drejtuesve të atyre institucioneve. Ylber Sela, drejtor i Agjencisë për zbatimin e gjuhëve tha se edhe ato pak institucione që kanë zbatuar shqipen me ndërrimin e drejtuesve kanë hequr dorë nga përmbushja e këtij obligimi ligjor.

Kjo ka ndodhur për shkak se nuk ka funksionuar ende, nuk ka ende inspektor të cilët janë të licencuar. Ka stereotipe, ka populizëm, ka nacionalizëm dhe normalisht që do të presin që dikush të marrë masa dhe mandej që ta zbatojnë – tha Ylber Sela, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës.

Profesori Jeton Shasivari theksoi se zbatimi i shqipes në gjyqësor ishte e drejtë e fituar nga kushtetuta e Maqedonisë Socialiste e vitit 1974. Sipas Shasivarit që në atë kohë është përcaktuar e drejta ligjore për udhëheqjen e procedurave edhe në gjuhën e kombësisë nëse me statut të komunës ajo gjuhë është përcaktuar si gjuhë zyrtare.

Prandaj gjithë ato zëra që thonë se gjuha shqipe në gjyqësi do ta bllokoj sistemin gjyqësor, nuk janë të qëndrueshme për dy arsye. E para, bëhet fjalë për një të drejtë të fituar historike të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut edhe aspekti tjetër ka të bëj me ato shtete që janë dy gjuhësore ose shumë gjuhësore që kanë gjyqësi dy gjuhësorë, shumë gjuhësore siç është Zvicra, Belgjika edhe shumë shtete tjera evropiane – deklaroi Jeton Shasivari, profesor, UEJL.

Në konferencën ndërkombëtare “Terminologjia dhe roli i saj për njohjen e gjuhës profesionale” u tha se gjuha nuk duhet të jetë pengesë e realizimit të aktiviteteve të çdo institucioni. Valter Memisha, zëvendës drejtor I Akademisë së Studimeve Albanologjike në Shqipëri theksoi se pavarësisht se gjuha shqipe huazon terme ndërkombëtare, të njejta duhet të shqipërohen.

Ne në Shqipëri themi Bashkia e Tiranës, bashkia e Durrësit, në Kosovë thuhet komuna e Prizrenit ose Prishtinës, atëherë a do i themi bashki apo do përdorim fjalën e huaj komunë. Në fund të fundit fjala komunë përkthehet në shqip në fjalën bashki. Ka gjëra të tilla që duhen patjetër njësuar, jo vetëm të standardizohen por edhe të njësohen – deklaroi Valter Memisha, zv drejtor i Akademisë së Studimeve Albanologjike në Shqipëri.

Përveç zbatimit të gjuhës, rol të rëndësishëm luan edhe përkthimi i gjuhëve.
Përkthimin derisa e shohim si diçka teknike dhe si diçka që mund ta bëj çdo i dyti person pa u profilizuar mirë, pa u kualifikuar dhe pa marrë arsimin e duhur ne do të kemi ato perlat e zeza që gjithandej i hasim nëpër institucione – u shpreh Luljeta Ademi, përkthyese.
Në këtë konferencë gjithashtu u prezantuan edhe shumë punime shkencore dhe firmosën memorandum bashkëpunimi.