Dy vjet pa legjendën e sportit tetovar, Refik Jahja

Sot mbushen 2 vjet nga vdekja e Refik Jahja, legjendës së sportit dhe skijimit i cili ndërroi jetë në moshën 82-vjeçare legjenda e sportit të skijimit. Refik Jahja ka lindur në Lisec të Tetovës më 10 tetor 1937. Ishte anëtar i Klubit të Skijimit “Luboteni” në Tetovë.

Gjatë karrierës së tij si skiator ai ishte kampion i shumëfishtë i Maqedonisë së Veriut, duke filluara nga moshat më të reja e deri tek seniorët duke filluar nga viti 1946 deri në vitin 1966, kur edhe e ka përfunduar karrierën si skiator aktiv Në Kampionatin e ish-Jugosllavisë në Jahorinë (Sarajevë, Bosnjë dhe Hercegovinë, 1954) fitoi vendin e parë në sllallom për të rinjtë, kurse në Kranjska Gora (Slloveni, 1955) fitoi vendin e tretë. Ka qenë pjesë e reprezentacionit të skijimit të ish Jugosllavisë.

Ai për sukseset e arritura në sportin e skijimit është zgjedhur si sportisti më i mirë i Maqedonisë në vitin 1954 dhe është fitues i shumë medaljeve dhe mirënjohjeve. Refik Jahja është nderuar me Çmim të veçantë me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar në manifestimin e organizuar nga Shoqata Sportive Studenti, Liga Shqiptare e Futbollit në Austri në bashkëpunim me komunën e Tetovës dhe Gostivarit në vitin 2012, ndërsa për vepër jetësore iu nda mirënjohje në manifestimin Shpallja e sportistëve më të mirë për vitin 2014 organizuar nga TV ART dhe Liga Shqiptare e futbollit në Austri.

Refik Jahja ishte njëri ndër kontribuuesit më mëdhenj në organizimin e garave ndërkombëtare të skijimit në Kodrën e Diellit, siç ishte rasti me garat “Kupa e Sharrit” si dhe organizime të shumta të garave vendore. Legjenda e skijimit Refik Jahja gjithmonë do të mbetet në kujtimet e rinisë për at të arriturat në sport dhe afirmimin e sportit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.