Një burrë që ngacmoi seksualisht një 12 vjeçare në Prizren e cila po kthehej nga shkolla e vetme, është dënuar me dy vjet burgim.
Sipas komunikatës, më datë 20 dhe 25 tetor të vitit 2021, i dyshuari ka ngacmuar seksualisht të miturën, duke i cenuar dinjitetin dhe ka krijuar mjedis frikësues degradues dhe poshtërues.
“Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm ka shpallur aktgjykim dënues, ndaj të akuzuarit T.Th., për shkak se: Me datë 20 dhe 25 tetor të vitit 2021, ngacmon seksualisht personin tjetër (viktimë e ndjeshme për shkak të moshës), ashtu që i akuzuari T.Th., përfshihet në sjellje të padëshiruar verbale të natyrës seksuale ndaj të dëmtuarës – e moshës 12 vjeçare, në atë mënyrë që me datë 20 tetor në orët e mesditës derisa i akuzuari ishte me biçikletë i afrohet të dëmtuarës e cila ishte e vetme duke u kthyer nga shkolla për në shtëpi dhe e ngacmon me fjalë, po ashtu me datë 25 tetor në orët e mesditës derisa e dëmtuara ishte e vetme i akuzuari i del para, i bën me vetulla dhe i qeshet në fytyrë, e dëmtuara e frikësuar kërkon një telefon, e në atë moment i akuzuari e dëgjon dhe ik nga aty, veprime këto me të cilat të dëmtuarës i ka cenuar dinjitetin dhe ka krijuar mjedis frikësues degradues dhe poshtërues. Me këtë ka kryer veprën penale ngacmimi seksual nga neni 183 par. 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Andaj Gjykata, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarin e GJYKON – Dënim me BURGIM në kohëzgjatje prej dy vitesh (në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 29.10.2021 e tutje)”, thuhet tutje në komunikatë.