Dy vëllezër kosovarë, dy doktorë për një ditë në Zvicër


Javën e kaluar, më 25 janar 2020, në Universitetin e Gjenevës, në Fakultetin e Mjekësisë u mbajt ceremonia zyrtare e dhënies së diplomave të 120 mjekëve të sapodiplomuar në Zvicër.

Mes tyre ishin edhe dy vëllezër kosovarë, Gent Memaj, 27-vjeçar dhe Plator Memaj, 26-vjeçar, me origjinë nga Zhuri i Prizrenit, shkruan albinfo.ch.

E veçanta e kësaj ceremonie ishte se të dy vëllezërit mantelbardhë në të njëjtën ditë u bënë zyrtarisht me titujt “Doktorë” të shkencës së Mjekësisë.

Genti për vite me radhë kishte studiuar në Universitetin e Gjenevës për Mjekësi, në Departamentin e Stomatologjisë, duke treguar suksese të mëdha në fushën përkatëse si dentist. Ndërsa, Platori kishte zgjedhur të studionte në drejtimin e Mjekësisë së Përgjithshme, duke korrur suksese në arritjet e tij profesionale si mjek.

Pas sukseseve të njëpasnjëshme gjatë studimeve, Genti dhe Platori arritën t’i mbrojnë titujt zyrtarisht të diplomave që iu dorëzuan solemnisht nga personalitet më të larta politike dhe të qarqeve akademike të Kantonit të Gjenevës në Zvicër, shkruan albinfo.ch.

Diplomimit të tyre iu gëzuan më së shumti prindërit, Agim Memaj, i cili është inxhinier (Master në Universitetin EPFL Lausanne) dhe Teuta Memaj, mjeke nutricioniste (e specializuar në Universitetin e Lausannës). Ata për albinfo.ch thanë se janë krenarë për djemtë e tyre dhe se kjo në një mënyrë është edhe krenari për gjithë Kosovën, e në veçanti edhe për Zvicrën.