Dy të dyshuarit për vrasjen te “Mavrovasja” në Shkup janë të dënuar që ishin arratisur nga burgu

Dy të dyshuarit për vrasjen në Qendrën Tregtare “Mavrovasja” në Shkup janë të dënuar të arratisur nga burgu. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) në pyetjet e “360 Gradë”. I dyshuari kryesor për vrasjen e Vasil E., 39-vjeçarit E.K., i cili dje nga Gjykata Penale i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, ishte i burgosur në “Idrizovë”. Ai u arratis prej andej më 15 prill të këtij viti. Drejtor i burgut në momentin e arratisjes ishte Zoran Jovanovski, i cili ende është në këtë pozitë, transmeton Portalb.mk.

I dyshuari i dytë në këtë rast, A.K., i cili dje është vetëdorëzuar në polici, siç bëjnë me dije nga MPB, ka qenë duke qëndruar në burgun “Shkup” në Shuto Orizar dhe prej aty është arratisur saktësisht një muaj më parë, më 22 korrik të këtij viti.

Arratisja e A.K. ka ndodhur në një periudhë kur burgu “Shkupi” ende drejtohej nga Filip Andov-Sokol. U.d drejtori aktual drejtori Boban Utkovski është emëruar në këtë pozitë dy ditë pas arratisjes së A.K.

Ndryshe, dy të arratisurit ishin në kërkim me fletarrest qendror të MPB-së ditën e arratisjes.

Ditën e arratisjes së A.K. nga Shutka, 22 korriku, përkon me datën kur drejtori i Drejtorisë për përmbarim të sanksioneve, Aleksandar Pandov, ka njoftuar se gjatë një kontrolli të jashtëzakonshëm në këtë burg, nga 180 në listë mungojnë 11 të burgosur. Dhjetë prej tyre u kthyen në Shutkë në intervale të ndryshme gjatë natës, por katër u arratisën përsëri në mëngjes, raportoi Pandov për vëzhgimin e kryer më 19 korrik.

Për këtë ka reaguar drejtori i atëhershëm Filip Andov, i cili i ka hedhur poshtë akuzat e Pandovit si të pasakta dhe ka paralajmëruar padi kundër tij.

Ish-ministrja dhe deputetja aktuale, Slavjanka Petrovska, të mërkurën në një dalje në TV 21, e ka konsideruar simptomatike që MPB-ja nuk i ka publikuar inicialet e të dyshuarve për vrasjen.

“Ministria e Punëve të Brendshme nuk i shpall inicialet e të arrestuarit apo të personit që kërkon sepse ndoshta janë persona të burgosur që në vend që të jenë në burg janë në rrugë dhe për të cilët MPB kishte nxjerrë urdhër, por pas më shumë se 30 ditësh nuk mund t’i gjenin. Fatkeqësisht, në qendër të Shkupit është dashur të ndodhë një vrasje që njëri prej tyre të ndalohet, ndërsa për tjetrin ende duhet të organizohet aksion për gjetjen e tij”, tha Petrovska më 21 gusht 2024.

Vrasja e Vasil E. ka ndodhur mëngjesin e së martës (20 gusht) në parkingun ndërmjet objekteve të banimit dhe qendrës tregtare “Mavrovasja” në Shkup.

Prokuroria Themelore Publike (PThP) Shkup dje ka hapur hetime kundër të dyshuarit të parë E.K., ndërsa Gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, ai akuzohet për tri vepra penale – vrasje, vrasje në tentativë dhe prodhim i paautorizuar, posedim, ndërmjetësim dhe trafikimi i armëve të zjarrit.

Në stacionin e policisë “Prolet” mbrëmjen e djeshme është vetëdorëzuar i dyshuari i dytë A.K, i cili ishte në arrati dhe të cilin policia e kërkonte.