Policia turke ka arrestuar Ahmet Celikten dhe Osman Gundas të dyshuar për sulmin e sotëm kundër Ambasadës së SHBA-së në Ankara, me ç’rast nuk pati viktima dhe as të lënduar.
Sulmi u krye në ora 17.30 sipas kohës lokale dhe sulmuesit kishin shtënë gjashtë plumba nga një veturë në lëvizje. Tre plumba goditën objektin e ambasadës, por fatmirësisht nuk pati viktima, apo të lënduar në njerëz.
Zyra e guvernatorit të Ankarasë njoftoi se gjatë kapjes së dy sulmuesve është gjetur edhe një revole 9mm, e cila dyshohet të jetë përdorur gjatë sulmit.
Celikten dhe Gundas kanë pranuar përfshirjen e tyre në sulm, thuhet në njoftimin e Zyrës së guvernatorit.
Celikten (1979) është i njohur edhe më herët për policinë për vepra të ndryshme kriminale, sikurse edhe Gundas (1980).
Ndërkohë, Ambasada amerikane në Turqi ka falënderuar policinë dhe qeverinë turke për përpjekjet e tyre për të kapur sulmuesit.
Presidenca turke ka dënuar sulmin duke thënë se ishte një përpjekje e qartë për të krijuar kaos.