Dy shkolla të mesme në Shkup kalojnë në mësim online


Javën që vjen, dy shkolla të mesme të Qytetit të Shkupit rrezikojnë të mbesin pa mësim me prezencë fizike dhe të kalojnë në mësim nga distanca për shkak të mungesës së ngrohjes. Drejtoresha e shkollës së ndërtimtarisë “Zdravko Cvetkovski”, Anita Tomovska e konfirmoi këtë informacion të Alsat duke shtuar se për këtë vendim tashmë kanë njoftuar edhe dikasterin e Arsimit i cili ka dhënë pëlqimin për mësim online. Ndërsa, Qytetin e Shkupit, siç tha drejtoresha Tomovska do ta njoftojnë të martën pasi të mbahet mbledhja e Këshillit të shkollës, shkruan Alsat.

“Presim të na dalin në ndihmë duke mirëkuptuar thelbin e problemit dhe në këtë rast edhe me informacion deri te themeluesi i shkollës, Qyteti i Shkupit, që planifikojmë ta dorëzojmë të martën, vlerësoj se prej të mërkurën. 9 shkurt, do të kalojmë në mësim online”, tha Atina Tomovska, drejtore e shkollës së mesme “Zdravko Cvetkovski”

Alsat mëson se me problem të njëjtë do të përballet edhe shkolla e mesme ekonomike “Arseni Jovkov”.

“Sigurimi i shkollës së mesme “Arseni Jovkov” nuk lejoi ekipin e Tv Alsat të futet brenda për të konfirmuar nëse kjo shkollë ka ngrohje ose jo. Nga informacionet që morëm, disa thonë se kanë ngrohje ndërsa disa të tjerë thonë se ngrohja është e lëshuar por në minimum dhe nuk është e mjaftueshme për ngrohjen e gjithë hapësirës së shkollës”.

Pavarësisht se nuk morëm përgjigje nga udhëheqja e shkollës, nxënësit e “Arseni Jovkov” thanë se ngrohja ishte mesatare ndërkohë që shprehen kundër mësimit online.

“Në mëngjes kur vijmë është ftoftë, ngrohjet nuk punojnë mirë, nuk janë të lëshuara sa duhet. A keni ndonjë informacion se mund të kaloni në mësim online nëse nuk do të ketë ngrohje? Nuk e di, nuk na kanë thënë ende asgjë për online”, tha një nxënës

“Kanë thanë që po, por nuk e dimë. Kush ju ka njoftuar? Prej kujdestares së klasës. Na kanë thënë që mundet edhe online. Kisha thënë fizikisht më mirë sepse problem është online, dikush nuk ka kushte”, nxënës.

“Nuk është mirë me qenë online, me prezencë fizike mendoj që është më mirë”, nxënës.

Për këtë problematikë u drejtuan edhe në Qytetin e Shkupit, nga ku deri në këto momente,nuk morëm përgjigje nëse tashmë janë të njoftuar se 2 shkolla të mesme do të përballen me mungesë të ngrohjes dhe do të detyrohen të kalojnë në mësim online.