Dy paga minimale të pamjaftueshme për shportën e qytetarëve të Maqedonisë

Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore, shtrenjtimi i faturave të rrymës dhe atyre të ngrohjes, e ka goditur në masë të madhe buxhetin e punëtorëve që marrin pagë minimale. Një nga ta është dhe Ferhat Ekrem, i cili thotë se pas rritjes së çmimeve duhet të zgjedhë t’i paguajë faturat apo t’i sigurojë gjërat elementare ushqimore për familjen e tij prej gjashtë anëtarësh.

“Dy – tri bukë dhe vetëm një litër qumësht apo kos të blesh dhe ja shkuan 150 denarë (3 euro). Ku janë harxhimet e tjera për të për gatitur një vakt të vetëm?” thotë Ferhat Ekrem nga Shkupi.

“Për familjen time është luks të përgatitet një drekë me një kilogram patate, një kilogram kofshë pule dhe pak sallatë jeshile. Nëse e shtojmë dhe bukën, harxhimet shkojnë gati në 10 euro dhe ju tani shumëzojeni këtë me 30 ditë, ndërkohë që unë marr vetëm 250 euro, dhe këtu duhet të ndaj (para) edhe për pagesën e faturave”, shtoi ai.
Një person duke blerë gjësende ushqimore në një treg në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Sindikalistët në Maqedoninë e Veriut kërkojnë që në janar të këtij viti shumica parlamentare të votojë Ligjin për rritjen e pagës minimale për 3 mijë denarë (50 euro) prekësish nga 15 mijë denarë në (rreth 250 euro) në 18 mijë denarë (rreth 300 euro), pasi siç theksojnë, dy paga minimale nuk mjaftojnë për të mbuluar shpenzimet e shportës sindikale.

Në bazë të llogaritjeve të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë së Veriut, shpenzimet për shportën mujore për një familje prej katër anëtarësh në nëntor të vitit të kaluar, kanë arritur në 34 mijë e 893 denarë (570 euro).

Slobodan Trëndafilov nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë së Veriut thotë për Radion Evropa e Lirë se rritja e pagës minimale duhet të jetë në krye të agjendës së Qeverisë gjatë janarit. Ai thotë se rritja e çmimeve e ka bërë të papërballueshme koston e jetesës për punëtorët, pjesa më e madhe e të cilëve paguhet me pagë minimale ndërkohë që çmimi i energjisë elektrike është rritur për 9.5 për qind dhe ai i ngrohjes për 14 për qind, përfshirë edhe rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore për mbi 5 për qind.

“Të dhënat që kanë dalë nga llogaritja e shpenzimeve të shportës sindikale, tregojnë se e njëjta nga muaji në muaj rriten në mënyrë drastike. Pra, të dhënat tona tregojnë se kjo shportë nga janari deri në tetor është rritur për rreth 1 mijë e 500 denarë. Këtu nëse shtohet dhe rritja e faturave të rrymës dhe atyre për ngrohje, kjo tregon se është urgjente të pësojë rritje dhe paga minimale që të bëhet sadopak e përballueshme kostoja e jetesës”, thotë Trëndafilov.

Ai shton se duke marrë parasysh se në fund të janarit shfuqizohet dhe vendimi për ngrirjen e çmimeve, pritet që shumë produkte bazë të shënojnë rritje, kështu që punëtorët me pagë minimale do ta kenë të vështirë të përballojnë koston e jetesës.

“Në bazë të analizës që e kanë përgatitur ekspertë eminentë për Lidhjen e Sindikatave, në Maqedoninë e Veriut kemi më shumë se 110,000 punëtorë, të cilët marrin pagë minimale. Kjo ndodh pasi me rritjen e pagës minimale, një pjesë e madhe e punëdhënësve nuk e rritën edhe pagën mesatare dhe erdhi te barazimi i pagave për shumë punëtorë, duke mos respektuar ndërlikueshmërinë e pozitave të caktuara të punës. Kështu që kërkojmë të kenë rritje spirale të gjitha pagat”, thekson Trendafilov.

Ndërkaq, autoritetet qeveritare në Maqedoninë së Veriut kanë theksuar se angazhohen për rritjen e pagës minimale në 18 mijë denarë, por pa saktësuar kohën se kur do të realizohet kjo kërkesë e sindikalistëve.
Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, drejtuar nga socialdemokratë, thonë se gjatë qeverisjes që nga 2016-a, kanë arritur të rrisin pagën gati për 100 euro.

Zyrtarët e dikasterit të ekonomisë kanë thënë se po bëhen analiza që kërkesa e sindikalistëve jo vetëm të miratohet, por të krijohen dhe kushte që punëdhënësit të mund të realizojnë pagesën e pagës minimale pa qenë të detyruar të ulin numrin e të punësuarve.
Afaristët thonë se do ta përballojnë rritjen e pagës minimale vetëm nëse Qeveria i subvencionon kontributet.

“Ajo që do të duhej të ishte si një masë e një interesi të përbashkët që të rritet paga minimale dhe nga ana tjetër të mos goditet në masë të madhe, propozimi ynë është që paga minimale të rritet në nivelin e 300 eurove, por mos të rritet edhe baza për pagesën e kontributeve që do të thotë kontributet të ngelin në nivelin aktual. Pasi çdo rritje e pagës me formulën e tanishme të kalkulimit të kontributeve ndaj shtetit, do të jetë e pa përballueshme për sektorin e biznesit në këtë gjendje krize”, thotë për Radion Evropa e Lirë Arben Halili nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.

Ai njëherësh shton se kjo formulë do të ndihmojë që të ruhet dhe fuqia punëtore pasi pagat në Maqedoninë e Veriut janë më të ulëta se në pjesën më të madhe të vendeve të rajonit.

“Maqedonia e Veriut vazhdon të mbetet vendi apo shteti me pagat më të ulëta krahasuar me pjesën më të madhe të vendeve të rajonit. Dhe, kjo rritje minimale nuk meriton ndonjë pompozitet politik, do të mbetemi në listën e vendeve me pagën më të ulët. Por, megjithatë, kjo rritje paraqet një lëvizje pozitive për t’i mbajtur punëtorët në vend”, shprehet Halili.

Afaristët thonë se krahas rritjes së pagës minimale, duhet gjetur mekanizma funksionalë për rritjen e produktivitetit të punëtorëve, që për kompanitë të jenë të përballueshme shpenzimet shtesë për pagesën e pagave.
Ndërkohë, nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë së Veriut kanë theksuar se nëse nuk realizohet kërkesa për rritjen e pagës minimale në 18 mijë denarë, që nënkupton rritjen edhe të pagës mesatare, do të organizojnë protesta.