Dy muaj pritje për pasaportë

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët aplikojnë për marrjen e dokumenteve për udhëtim, duhet të presin për termin rreth dy muaj, pasi terminët për nxjerrjen e pasaportave, janë të zënë deri në fund të muajit gusht, pas çka duhet të presin edhe 10 ditë pune deri në përgatitjen e të njëjtave.

Caktimi i terminit është bërë shumë i vështirë, pasi me orë pritet që zyrtarët të lajmërohen nga qendra pranuese e thirrjeve, në dikasterin e Punëve të Brendshme .
“Ju lutem prisni, të gjithë operatorët janë të zënë”, kjo shprehje madje mund t’i mbajë qytetarët me orë në telefon, dhe në fund askush të mos përgjigjet.

Elena Andonovska nga Shkupi, thotë që më shumë se dhjetëra herë është dashur të telefonojë për të caktuar një termin, për të aplikuar për marrjen e pasaportës, pasi pasaportës së saj tashmë i ka skaduar afati.
“Nuk e di akoma, nuk jam e sigurt. Si duket do të duhet të anuloj pushimet. Shumë tollovi, nuk e di, tash nuk mund të them më me siguri nëse do më arrij pasaporta në kohë me këto zvarritje”, thotë Andonovska.

Autoritetet zyrtare të Maqedonisë së Veriut, kanë sqaruar se këto vonesa kanë të bëjnë vetëm me qytetin e Shkupit, për shkak të rritjes së përnjëhershme të numrit të kërkesave të qytetarëve, në prag të sezonit të pushimeve verore, pas lehtësimit të masave që kishin të bënin me frenimin e koronavirusit të ri.
“Thjesht u rritën kërkesat, pasi për shkak të situatës që shkaktoi COVID-19, shumë nga qytetarët nuk e kanë parë se u ka skaduar afati i dokumenteve për udhëtim”, ka theksuar ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, duke kërkuar nga qytetarët të tregohen më të durueshëm gjersa presin.
Autoritet maqedonase kanë mohuar se pritjet e gjata kanë të bëjnë me furnizimin në kohë të dokumenteve për udhëtim.