Dy mjekët që morrëm rryshfet, paraburgim një muaj

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë duke ua caktuar nga një muaj paraburgim dy mjekëve të Spitalit të Gjilanit, të cilët janë arrestuar të shtunën.

Dy mjekët e Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, kirurgu Luan Mustafa dhe anesteziologu Halil Basha, janë arrestuar gjatë kujdestarisë me dyshimin për marrje ryshfeti.

“Gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, duke i caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji të pandehurve, i cili do të llogaritet prej ditës se ndalimit, konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale”, thuhet në njoftimin e kësaj gjykate.

Mbi 500 euro dyshohet se i kishte kërkuar ryshfet kirurgu Mustafa me rastin e operimit të një pacienteje në Spitalin Rajonal të Gjilanit. Ndërsa kolegu i tij, anesteziologu Basha, dyshohet se kishte kërkuar ryshfet 100 euro për shërbimin e tij.