Dy javë pas festave, virusi mund të “lulëzojë”!

Megjithëse MPB-ja raportoi që gjatë festave të fundvitit nuk kishte shkelje flagrante, situata epidemiologjike do të vlerësohet të hënën e 18 janarit. Në rast të lëvizjes së shifrave do të vendoset për masa të tjera. Por, gjatë ceremonive fetare të Buzmit, besimtarët ortodoks vazhduan me të vjetrën, duke puthur ikonat e njëjta dhe duke pirë nga luga e njëjtë si dhe me tubime kolektive pa distancën nëpër Kisha. Nga ana tjetër Ministri Filipçe shprehet optimist se nuk do të ketë valë të re gjatë janarit, siç pritej.

Sa i përket situatës epidemiologjike mund të them se përafërsisht është stabile, dukshëm është ulur numri këto ditët e kaluara edhe e pacientëve, të cilët e kishin të nevojshëm hospitalizimin. Edhe më tej mbahet trendi i numrit të ulët të pacientëve në kurim spitalor në gjithë vendin, jo vetëm në Shkup. Besoj se do të mbetet kështu! Besoj se edhe këto shkelje të masave me të vërtetë nuk ishin të shpeshta dhe nuk ishin aq shumë.”-tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.

Vlerësimet e ekspertëve do të diktojnë edhe ritmin e kthimit në normalitet të jetës së qytetarëve. Por, atyre që u ngutet më së shumti për rifunksionim të plotë janë bizneset. Madje nga shoqata e gastronomeve kërkojnë që nga kjo e hënë të gjitha kafenetë dhe restorantet të punojnë deri ora 23. Kjo kërkesë do të shqyrtohet nga Komisioni për Sëmundje Infektive, por për t’u zbatuar më vonë.

Asnjë lëvizje e masave anti kovid nuk do të bëhet para 21 janarit. Protokollet aktuale vazhdojnë për një muaj siç u miratuan në prag të festave të fund vitit. Atëherë do ta shqyrtojmë edhe kërkesën e gastronomeve nëse lokalet do të mbyllen ora 21 apo do të vazhdojnë me punë edhe dy orë shtesë.”-thonë nga Komisioni për Sëmundje Infektive.

Ndërkohë, në vendin tonë ende nuk ka raste të konfirmuara me variantin e ri të virusit korona. Autoritetet shëndetësore thanë se analiza të detajuara të Sars-Cov-2 po bëhen në laboratorin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Shkup, dhe në rast të detektimit të mutacioneve gjenetike, raportimi do të bëhen gjatë javës që vjen. Ekspertët thonë se rreziku është i madh që ky variant të jetë mes nesh, pas lëvizjes së lirë ndërkufitare gjatë festave të fund vitit. Virusi ri ka arritur në fqinjin verior Serbi dhe në shumë vende të BE-së. Këto të fundit tashmë zbatojnë masa të rrepta restriktive.