Dy intelektualët nga Maqedonia tani punojnë si pastrues në Zvicër

I takuam në një ndërtesë në Bernë të Zvicrës, duke mirëmbajtur godinën edhe ashtu të pastër si loti, siç është e zakonshme të shihen në Zvicër.
Mentori, një shqiptar rreth të gjashtëdhjetave nga Shkupi, që në vitet e 90-ta e kishte gjetur vetveten në këtë shtet alpik, pasi kishte përfunduar shkollën e lartë dhe në pamundësi të punësohej për shkak të ideve “nacionaliste e irredentiste” të asaj kohë, po e mësonte se si të mirëmbahej objekti në mënyrë të përsosur.

Praktikanti, një djalosh 28-vjeçar nga rrethina e Tetovës, me dy fakultetet të kryera në vend, po e vështronte me vëmendje të madhe se si t`i adaptohej sa më shpejt kësaj pune jo aq të rëndë.
E pyetëm se si është e mundur që me dy fakultetet të kryera të vendoste të vinte në Zvicër. Si me një traumë të lehtë dhe me ndrojtje, ai u përgjigj: “Edhe pse konkurrova në rreth njëqind vende pune në rrethinën e Tetovës dhe Gostivarit, askush nuk më dha ndonjë rast t`i qasem profesionit tim. Te ne, edhe më tej shkon gjithçka me nepotizëm”, pohon djaloshi, i cili dëshiron të mbetet anonim.

Pas përfundimit të shkollës fillore dhe asaj të mesme, në vitin 2013 regjistrohet në Fakultetin e Marketingut dhe Menaxhmentit në USHT në Tetovë. Për të nuk kishte ndonjë pengesë të madhe që em nota të shkëlqyeshme ta përfundojë këtë fakultet në vitin 2017. I etur që edhe më tej të zbulojë risitë në botën e shkencës, ai në periudhën 2018-2019 e përfundoi edhe Fakultetin Komercial Ardi në Shkup.
E megjithatë, vendlindja nuk i ofroi atë që e meritonte, një vend pune dinjitoz, me të cilin do të mund të siguronte ekzistencën e tij themelore. Në këtë mënyrë, përmes bashkimit familjar, në vitin 2019 ai u zhvendos në Zvicër. Fillimisht u punësua te një punëdhënës shqiptar në sferën e vendosjes së çative, por për fat të keq, aty punoi pesë muaj falas.

Një shprehi tashmë e shpeshtë te punëdhënsit shqiptarë në perëndim. Gjatë kësaj periudhe të vështirë, ai pësoi një aksident në punë dhe çështjen e mori përsipër sigurimi invalidor zviceran SUVA. Në ndërkohë, përmes intervenimit të instancave gjyqësore, atij iu kompensuan edhe pagat nga punëdhënsi shqiptar.
Pas gjashtë muajve të kaluar si i aksidentuar, ai gjeti një punë tjëtër në pastrim në një qytet tjetër, ku punoi për një kohë të caktuar.

Më pas mbeti sërish pap punë për shtatë muaj dhe që çështjë të jetë edhe më dramatike, vetëm për dy ditë të vetme, atij nuk i takoi komensimi i arkës së papunësisë, vërtetë një fatkeqësi e një personi të pafat, që nuk e përjetojnë shumica në Zvicër.
Tani, ai po e dëgjonte me vëmendje mentorin e tij, i cili e udhëzonte në mënyrën më praktike që t`i adaptohej punës së re.