Dy gra zyrtarizojnë martesën në Mal të Zi

Dy gra kanë zyrtarizuar, edhe para ligjit, bashkimin e tyre në Mal të Zi, duke shënuar herën e parë që ndodh një gjë e tillë në historinë e këtij shteti.
Gratë, që kanë dashur të mbesin anonime, janë martuar në qytetin e Budvës më 25 korrik, sipas mediave lokale.
Një zyrtare e Budvës, Milijana Vukotiq Jellushiq, ka thënë se të dyja gratë janë nga Ballkani, mirëpo punojnë dhe jetojnë jashtë këtij territori.

Çështjet e preferencave seksuale dhe identitetit gjinor, vazhdojnë të jenë problematike në Mal të Zi dhe rajon, ku Kisha Ortodokse dhe shoqëria konservatore kanë ndikim të konsiderueshëm.
Ligji i Malit të Zi për “partneritet jetësor mes personave të gjinisë së njëjtë”, është miratuar vitin e kaluar.
Qeveria ka pasur kohë deri më 15 korrik, për të bërë ndryshimet e nevojshme për të mundësuar bashkime të tilla ligjore.