Dy foshnje me COVID-19 në QKUK, njëra në gjendje të rëndë shëndetësore

Dy foshnje në Klinikën e Neonatologjisë dhe dy fëmijë në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë të infektuar me COVID-19 dhe po marrin trajtim në këto dy klinika.

Drejtoresha e Klinikës së Neonatologjisë, Hajrie Ismaili, deklaroi se njëra prej foshnjave është në gjendje më të rëndë dhe është me asistencë respiratore dhe në trajtim intensiv.

“Kemi aktualisht dy foshnje, tash në këtë valën e fundit të pandemisë, pra të COVID-it. I kemi vazhdimisht rastet të cilat po pranohen dhe trajtohen në kliniken tonë. Zakonisht janë foshnje të cilat vinë nga shtëpia… Këto foshnje janë foshnje në termin, njëra është 18-ditëshe, tjetra është katër ditëshe, nga momenti kur janë pranuar… Aktualisht e kemi një foshnje që është në gjendje më të rendë është me asistencë respiratorë dhe mbetet tutje me trajtim intensiv”, tha ajo.

Doktoresha Ismaili rekomandon të gjitha nënat që rezultojnë pozitivë më COVID-19 të kenë kujdes gjatë kujdesit me foshnjën dhe gjatë kohës së ushqyerjes ta mbajnë maskën. Ajo ka theksuar edhe rëndësinë e vaksinimit me rregull për foshnjat.

Ajo ka treguar edhe për simptomat e foshnjave të cilat janë me COVID.

“Foshnjat të cilat vijnë janë me temperaturë të lartë trupore, me vështirësi respiratorë. Kryesisht janë forma të lehta…1:16 Foshnjat të cilat janë COVID pozitive, janë simptome pothuajse të njëjta edhe me patologjitë e tjera, me sëmundjet e tjera. 1:22 Në rastet kur kanë temperatura të larta trupore duhet të referohen, udhëzohen menjëherë të mjeku. Ata pastaj e bëjnë vlerësimin dhe nëse gjendja kërkon trajtim hospilator, atëherë referohen nga ana e mjekut në spital”, tha ajo për KP.

Edhe në Klinikën e Pediatrisë aktualisht janë dy fëmijë të infektuar me COVID-19, por doktoresha në këtë klinik, Afërdita Selmanaj, tha për KosovaPress se gjendja e tyre është stabile.

“Për shkak të shtimit të rasteve të fëmijëve me COVID-19, kemi rihapur repartin e COVID-it, i cili për një kohë ka qenë i mbyllur… Në repartin COVID janë duke u trajtuar dy fëmijë, gjendja e tyre është stabile… Sa i përket kapaciteteve, numri i shtretërve gjithsej është 10 shtretër, mirëpo me mundësi të shtimi nëse paraqitet numri më i madh i rasteve të fëmijëve me COVID-19”, ka deklaruar Selmanaj.

Pediatrja Afërdita Selmanaj tha se mosha e fëmijëve të prekur nga COVID-19 është 1 deri 4 vite. Ajo gjithashtu tregoi simptomat e para që kryesisht fillojnë me rritjen e temperaturës.

“Simptomat fillestare kryesisht janë respiratorë, kollitje, temperaturë. Simptomat tek fëmijët zgjasin 7-10 ditë, shumica janë trajtuar në mënyrë ambullatore, ndërsa pacientët që kanë qenë të spitalizuar tek ne zakonisht kanë qëndruar 7-10 ditë në klinikën tonë… Mosha më e prekur nga COVID-19, ka qenë 1 deri 4 vite”, ka theksuar ajo.

Pediatrja kërkoi nga prindërit që të behët vaksinimi i fëmijëve. Ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë miratoi vaksinimin anti-COVID për fëmijët 5 deri në 11-vjeç.