Dy foshnja vdesin nga i ftohti në kampet e të zhvendosurve në Siri

Dy foshnja kanë vdekur nga acari, pasi reshjet e borës dhe temperaturat e ulëta i goditën kampet e personave të zhvendosur në pjesën veriperëndimore të Sirisë.

Një zyrtar i Kombeve të Bashkuara i tha agjencisë AFP se një vajzë me shtatë ditë jetë dhe një tjetër dymuajshe kanë vdekur në provincën Indlib, njofton BBC.

Rreth 2.8 milionë njerëz kanë kërkuar strehim në bastionin e opozitës pas largimit nga shtëpitë e tyre gjatë luftës së gjatë civile. Shumë prej tyre jetojnë në tenda të dëmtuara, pa rroba të ngrohta dhe karburant për ngrohje.

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se situata është duke u përkeqësuar për shkak të rënies së ashpër ekonomike në Siri, me ç’rast çmimi i produkteve ushqimore është dyfishuar për një vit, si dhe për shkak të mungesës së fondeve për ofrimin e ndihmave dimërore.