Dy edukatore nga Çairi infektohen me koronavirus, katër fëmijë në izolim

Gjatë 24 orëve të fundit sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 386 persona kanë rezultuar pozitiv me virusin korona, 6 persona e kanë humbur jetën ndërsa 154 janë shëruar.
Të dhënat i referohen testimit të 2267 mostrave, që paraqet numrin më të lartë të testeve të kryera që nga periudha maj-qershor.

Numri më i lartë i të infektuarve është regjistruar në Shkup, 178 raste, në Strumicë 44, Tetovë 20, Kumanovë 18, Gjevgjeli 18.
Ndërkohë në Klinikën Infektive janë shtruar vetëm se 8 persona ndërsa numri i përgjithshëm i persona që po trajtohen në këtë klinikë arrin në 84. Në oksigjeno terapi janë 49 persona, ndërsa në respirator nuk ka asnjë person.

Në spitalin “8 Shtatori” janë shtruar gjithsej 5 persona ndërsa të hospitalizuar në këtë qendër mjekësore janë gjithsej 42 pacientë.
Pozitive në virusin korona kanë rezultuar edhe dy edukatore në çerdhen Pitër Pan në Çair të Shkupit, ndërsa 4 fëmijë janë në izolim. Pozitive ka rezultuar edhe një përkëdhelëse në çerdhen e Kumanovës, duke i çuar në izolim 8 fëmijë dhe disa përkëdhelëse të tjera.

Por pavarësisht Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska thotë se gjendja në çerdhe është e qëndrueshme dhe se gjendja po monitorohen nga afër. Deri më tani, 10 fëmijë dhe 21 punonjëse të çerdheve janë diagnostikuar me covid-19 duke çuar në izolimin e 150 fëmijëve. Sipas saj, fëmijët nuk janë infektuar në çerdhe.
“Ne po monitorojmë nga afër situatën pasi çerdhet ishin institucionet e para për fëmijët që u hapën pas normalizimit të gjendjes me pandeminë. Deri më tani, gjendja në çerdhe është e qëndrueshme. Që nga hapja e kopshteve, 10 fëmijë dhe 21 punonjës janë regjistruar pozitivë dhe janë mirë me shëndet. Shumë prej grupeve që u mbyllën për shkak të një ndonjë rasti pozitiv pjesërisht janë kthyer në punë. Numri i fëmijëve të izoluar për shkak të koronavirusit është 150”, tha Jagoda Shahpaska, Ministre e Punës dhe Politikës Sociale.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe në një postin në rrjetin social fejbuk ka rikutjuar qytetarët me zbatimin e masave kryesore për mbrojte nga virusi, mbajtjen e maskës, distancën fizike si dhe pastrimin e duarve.