Dy denarë mbështetje për stabilizim të blerjes së kumbullave


Nga dy denarë mbështetje për një kilogram kumbulla do të marrin blerësit dhe tregtarët e regjistruar me qëllim të stabilizimit të blerjes së kumbullave, kumtoi sot Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.

MBPEU njëherit përkujton se prodhuesit, konform Programit vjetor për mbështetje financiare në bujqësi, do të marrin tre denarë subvencione.

“Mbështetja financiare për blerësit do të vlejë për kumbullat industriale të blera deri më 15 shtator të vitit 2018 me çmim jo më të ulët se pesë denarë për kilogram. Ky subvencion do të vlejë edhe për blerësit të cilët do të blejnë kumbulla të freskëta, por me çmim jo më të ulët se tetë denarë”, thekson Ministria.

Për momentin, siç informon, mbi 20 kompani blejnë kumbulla.

MBPEU ka hyrë në kontakt me blerësit dhe me përgjegjësi pohon se çdo blerës gjatë blerjes së kumbullave, jep vërtetim për peshën.

Para korrigjimit të Programit për mbështetje financiare, subvencioni për pemët e dorëzuara në kapacitet përpunues, përfshirë edhe për kumbullat, ishte dy denarë.