Dy çika në Prishtinë flasin anglisht, bullizohen nga ‘krejt’ Kosova (edhe figura publike)


Dy qytetare të Kosovës po bullizohen me të madhe në rrjetet sociale të Internetit… për arsye krejtësisht banale.

Në një video të prodhuar nga KTV, ato pyeten nga një gazetar nëse dëgjojnë muzikë në gjuhën shqipe.

Vajza e parë përgjigjet thjesht “Jo!” ndërsa e dyta thotë që i pëlqejnë vetëm këngët e vjetra rok në gjuhën shqipe. Por, vajza e dytë e elaboron mendimin e saj jo vetëm në gjuhën shqipe por edhe në atë angleze.

Komentet që u bënë ndaj dy vajzave ishin absolutisht tmerruese, por ato më dehumanizuese kemi vendosur që të mos i publikojmë në faqen tonë.

Sidoqoftë, gjithë këtij bullizmi i kanë kontribuar edhe personalitete publike që e kanë ndarë postimin.

Historiani Durim Abdullahu e komentoi në këtë formë videon ku shfaqen këto dy vajza:

“Nevoja e njeriut për identitet është aq e pashterrshme, sa që kur përjetohet me këmbëngulje, prodhon edhe këso subkulturë të përçudnuar dhe me plot injorancë të pandërgjegjshme!” – u shpreh ai në faqen e tij në Facebook.

Duket se z. Abdullahu nuk ka ndonjë ide se çka është subkultura, apo çka janë subkulturat nëpër botë marrë parasysh mbiemrin që i ka vënë (përçudnuar). Më elementarja që duhet kuptuar është se subkulturat jo detyrimisht i nënshtrohen normave të kulturave të mëdha, gjë edhe që i përveçon prej tyre.

Por, Abdullahu s’ishte i vetmi. Edhe analisti Parim Olluri iu bashkua turmës.

“Na nuk ngojna shqip”, e forte ke qikjo. Tanë këtë arrogancë me pasë njerëzit që s’kanë as pasosha me afat. Po me na i ba pasoshat neve. I shkelim në qafë edhe amerikanët.” – shkroi ai në Facebook.