Dy autobusë nga Serbia nuk u lejuan të hyjnë në Kosovë

Dy autobusë me mbi 80 vizitorë nuk janë lejuar të hyjnë nga Serbia në Kosovë nga pika e Jarinjes në veri, kanë raportuar mediat serbe.
Bazuar në dokumentet e lëshuar atyre këtë mëngjes në vendkalim, thuhet se bëhet fjalë për një “autobus me 83 pasagjerë”, dhe se arsyeja është se nuk u paraqit asnjë kërkesë për një vizitë të organizuar.

Drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, e ka cilësuar ngjarjen si incident e provokim nga autoritetet e Prishtinës në prag të rifillimit të dialogut.
“Mbërritëm sonte rreth orës 03:00. Ata na thanë të presim. Rreth orës 08:00 të këtij mëngjesi, një oficer policie nga Policia e Kosovës erdhi atje dhe tha se na ishte refuzuar të hynim në territorin e Kosovës sepse nuk e kishim njoftuar mbërritjen tonë. Dhe pastaj ata na dhanë një copë letër ku shkruhej se ishim refuzuar dhe se kishim pesë minuta kohë për t’u kthyer në anën serbe, për të thënë kështu”, ka thënë një nga vizitorët.

Ai deklaroi se deri më tani ata kurrë nuk kanë njoftuar vizita dhe se kanë ardhur pothuajse në baza mujore, dhe udhëtarët nuk janë vetëm nga Beogradi, por edhe nga vendet e tjera në Serbi.
Sipas dokumenteve të disponueshme deri më tani nga Brukseli, njoftimi i vizitave zyrtare, ose personave që kanë siguri fizike, është i rregulluar dhe u njoftohet përkatësisht autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë.
Policia e Kosovës nuk ka mohuar apo konfirmuar raportimin e mediave serbe.