DW: Vendosja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, situatë diplomatike delikate

Kosova ka nënshkruar një marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë për vendosjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, por këtë e kundërshton BE, Lidhja e Vendeve Arabe dhe Turqia.
Vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, ku në fokus është zotimi i Kosovës për hapjen e ambasadës së saj në Jerusalem ka nxitur një debat në Kosovë, nëse duhet bërë hapja e ambasadës apo jo. Kosova ka nënshkruar një marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë për vendosjen e ambasadës së saj në Jerusalem, por ky hap hasi në kundërshtimin e Bashkimit Evropian, Lidhjes së Vendeve Arabe dhe Turqisë. Kosovës iu kërkua që të mos e vendosë ambasadën në Jerusalem.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës Vjosa Osmani, ka thënë se qeveria e re e Kosovës do të koordinohet për çdo veprim me administratën e re të presidenitt amerikan, Joe Biden. “Ne do të koordinojmë çdo veprim tonin diplomatik me SHBA-së dhe Administratën Biden, atje është Jerusalemi ynë”, është shprehur Vjosa Osmani.

Letra urimi me dëshira e porosi
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, pas zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë dhe fitores së lëvizjes Vetëvendosja të Albin Kurtit, i shkroi një letër urimi, ku ndër të tjera i drejtohet Kurtit që pritet të formojë qeverinë e Kosovës se “e pret në Izrael që në Jerusalem së bashku të inaugurojnë ambasadën e Kosovës”.

Por pas fitores së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, letër urimi Albin Kurtit i shkroi edhe presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan, i cili tha se “është i gëzuar që mësoi qëndrimin e tij “për rishqyrtimin e zotimit” për hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, në rast të ardhjes së Lëvizjes Vetëvendosje në qeveri”.
Erdogan e ka porositur Kurtin që “do të ishte e dobishme që të shmangej një hap të tillë, i cili mund t’i shkaktonte dëme të mëdha Kosovës”.

Vetë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, u ka nisur letra presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, në të cilat është zotuar për thellim të bashkëpunimit, kur të formojë qeverinë e re në Kosovë, por në asnjërën letër, ai nuk përmend nëse do ta hap ambasadën në Jerusalem sipas kërkesës së Netanjahut, apo nuk do ta hapë sipas kërkesës së Erdoganit.

Në një takim me 1 mars ndërmjet liderit të Vetëvendosjes dhe ambasadorit turk në Prishtinë Çağri Sakar, Albin Kurti, paralajmëroi se do ta shqyrtojë çështjen, se në cilin qytet do të vendoset ambasada e Kosovës, në Tel Aviv apo Jerusalem, por ka shtuar se “për këtë gjë do të shihet edhe dokumentacioni i qeverisë në ikje”.
Zëdhënësi i lëvizjes Vetëvendosje Përparim Kryeziu, thotë se deklarimet e Albin Kurtit lidhur për zotimet e qeverisë në ikje për vendosjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem kanë qenë konsistente.

“Në lidhje me vendndodhjen e Ambasadës, zoti Kurti ka qenë korrekt, konsistent dhe transparent në qëndrimet e tij, duke thënë se ajo është një çështje që do të trajtohet nga qeveria e re pasi të jetë konsultuar dokumentacioni i qeverisë në detyrë. Ky është një veprim i rëndësishëm para një vendimi të qeverisë së tij për këtë çështje”, ka thënë zëdhënësi Kryeziu.