Durrësi, bregdet për të gjitha shtresat

Plazhi i vijës bregdetare të Durrësit ka një frekuentim të lartë gjatë këtij sezoni veror. Pushuesit thonë se janë të kënaqur nga shërbimi që ofrohet dhe qetësia ndërsa sa i përket çmimeve deklarojnë se janë të përballueshme. Me infrastrukturë të dedikuar kryesisht për plazh familjar dhe me një nivel çmimesh për të gjitha shtresat, plazhi Durrësit mbetet ndër të preferuarit për të kaluar pushime.

Pushues të ardhur kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, tregojnë se përgjatë një dite pushimi shpenzojnë deri në 100 Euro, një shifër kjo e pranueshme sipas tyre për një zonë turistike. Pjesa më e madhe e atyre që frekuentojnë Durrësin mbetën të kënaqur me atë çka gjejnë, duke pohuar se po kalojnë pushime të qeta dhe të sigurta.

Vija bregdetare e Durrësit mbetet më e populluara në vend dhe që frekuentohet masivisht kryesisht përgjatë sezonit veror. Kjo për shkak të larmisë së shërbimeve dhe çmimeve, ku çdo pushuesi, i ofrohet mundësia e zgjedhjes.