Pamjet që shihni i përkasin një stabilimenti të rritjes së pulave të kompanisë Aiba në Durrës, e cila është prekur nga gripi i shpendëve.
Rreth 125 mijë pula kanë ngordhur gjatë ditëve të fundit si pasojë e prekjes nga sëmundja. Situata është tejet e rëndë ndërsa kompania akuzon autoritetet shtetërore se nuk kanë marrë asnjë masë konkrete për groposjen e shpendëve.
“Prej katër ditësh që kemi ngordhje pulash dhe situata është tejet kritike. Asnjë nga autoritetet nuk ka ardhur të marri masa për eleminimin e karkasave të ngordhura. Detyrën e ka shteti, agjencia e mjedisit, pushteti vendor, shërbimi veterinar dhe tatimet për gjëra të tjera. Flasim alarmante sepse ka ndotje mjedisore”, tha Armand Llolli, kryeveteriner në Aiba.
Edhe pse të gjitha produktet janë tërhequr nga tregu problem mbeten pulat e gjalla, të cilat tashmë janë prekur nga ky grip.
“Dëmton jo vetëm fermat, por dhe shëndetin njerëzor. Kemi një ngërç mes Ministrisë së Bujqësisë dhe asaj të Mjedisit, asnjëra s’ka gjetur një vend për groposjen e karkasave. Duhet eliminime i të gjallave. Sepse janë më të rrezikshëm tek këto të gjallat jo të ngordhura. Ka mungesë ligjore për këto gjëra”, tha Artan Luku, administrator.
E njëjta situatë është dhe në dy pulari të tjera të qytetit të Durrësit.
Në njërën prej të cilave aktualisht nuk ka mbetur asnjë shpend. Deri më tani raportohet që të kenë ngordhur rreth 1 milion pula, si pasojë e virusit, por kjo shifër nuk është konfirmuar nga Ministria e Bujqësisë.
Nga ana tjetër autoritetet thonë se situata po monitorohet dhe se nga hetimi epidemiologjik bëhet fjalë për raste të izoluara. Ajo këshillon konsumatorët që të mos blejnë mish shpendësh pa certifikatë veterinare ose në kushte të papërshtatshme tregtie a magazinimi./vizionplus