“Duro” e Dafina Zeqirit rrit numrin e telefonatave që kërkojnë ndihmë në qendrën për parandalimin e vetëvr*asjeve

Kënga ‘Duro’ e Dafina Zeqirit, qysh në ditën e paë të lansimit pati një sukses të madh. Duke trajtuar një tematikë mjaft të ndjeshme të shëndetit mendor, ku vëmendjen e patën personat që vuajnë nga depresioni, ankthi, PTSD e sëmundje të tjera, e të cilat pasojnë edhe me vështirësitë që iu shkaktohen këtyre personave në shoqëri, kjo këngë u erdhi në “ndihmë” shumë personave.

Kënga ‘Duro’, fitoi edhe një sukses tjetër të veçantë siç është impakti që kjo këngë ka shfaqur tek publiku pasi që edhe vetë qendra “Linja e Jetës”, e cila njëkohësisht ishte pjesë e projektit muzikor, e bëri të ditur që pas publikimit të këngës edhe më shumë persona kanë luftuar stigmën, duke rritur ndërgjegjësimin dhe duke thirrur në qendrën telefonike për parandalimin e vetëvrasjeve.
Këtë njoftim e bëri të ditur edhe vetë këngëtarja e njohur shqiptare, ku përmes rrjetit social Instagram, ka postuar mesazhin e plotë që ajo morri nga vetë qendra.

KultPlus ju sjell mesazhin e plotë:
“Tung Dafina! Uroj që kjo kohë nuk ka qenë shumë e mundimshme për ty e që sa më shpejt ka me kalu edhe kjo periudhë! Së pari, falënderimin tonë ndaj jush kemi menduar ta verbalizojmë në takimin tonë, por për shkak të situatës, po e ndjej nevojën të të falënderoj përmes këtij mesazhi. ‘Duro’ ka pasur ndikim të pamatshëm në numrin e thirrjeve në linjën tonë. Çdo natë ka pasur thirrje të shumta nga shumë persona të cilët na kanë telefonuar, pasi që e kanë dëgjuar këngën tuaj dhe janë inspiruar të thërrasin te ne. Andaj, ju themi shumë herë faleminderit për një iniciativë të këtij lloji, që është duke e ndihmuar ‘Linja e Jetës’ me shpëtu sa më shumë jetë. Shumë dashuri, stafi i Linjës së Jetës”, ka qenë mesazhi që ‘Linja e Jetës’ i ka dërguar Dafinës.