Dumnica futet në karantinë, llapjani i infektuar me koronavirus kishte kontakte me shumë njerëz

Në Kosovë tashmë janë regjistruar 13 raste me koronavirus, ndërsa tri komuna deri me tani janë futur në karantinë.

Ka shkuar në 13 numri i të infektuarve me COVID-19, apo i njohur si koronavirusi.

Gjatë ditës së djeshme, ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia, njoftoi se rasti i parë me koronavirus është shënuar edhe në qytetin e Podujevës.
Zyrtarisht nuk ka ndonjë informacion se kur ka ardhur nga Italia në Kosovë personi i infektuar me koronavirus, mirëpo lajmi.net merr vesh se i njëjti në Podujevë ka ardhur para 19 ditësh.

Nexhmi Rudari, kryetar në detyrë i Komunës së Podujevës, ka bërë të ditur për lajmi.net, se që nga dita e djeshme kur edhe është zyrtarizuar nga ministri Vitia lajmi për një të prekur, fshati Dumnicë është futur në karantinë.

Ai thotë se fillimisht janë marrë të gjitha masat dhe janë kryer ekzaminimet mjekësore tek familjarët e personit të prekur me koronavirus.

“Ne edhe mbrëmë e kemi pasur takimin me komisionin “ad-hock”, për masat kundër koronavirusit, mbramë kemi marrë vendime të caktuara. Ne menjëherë sapo kemi mësuar që një person është i infektuar me koronavirus nga Dumnica, kemi marrë menjëherë masa dhe e kemi dërguar një ekip mjekësor, policor dhe kompanive për dezinfektim e cila e ka bërë dezinfektimin e lagjes dhe të familjes. Mjektë kanë bërë kontrolle të familjarëve dhe pak më vonë mbrëmë rreth orës 23:30 është marrë vendim për futjen e fshatit Dumnicë në karantinë prej nga vjen i infektuari. Policia ka dalë në rrugët kryesore dhe është duke funksionuar karantina”, ka bërë të ditur Rudari.

I pyetur se a dihet se me sa persona deri më tani ka pasur kontakt i infektuari me koronavirus, Rudari ka bërë të ditur se familja e tij është mjaft e madhe dhe se ka pasur kontakte të shumta mirëpo, ende nuk dihet saktë se me sa persona ka pasur kontakt.
“Ne mbrëmë kur e kemi dërguar ekipin mjekësor edhe i ka marrë në intervistë, flitet që ai ka qarkulluar në afërsi në lagje të vet dhe është një familje bukur e madhe, por për momentin janë duke u bërë gjurmimet e kontakteve të personit në fjalë me personat e tjerë në mënyrë që ne ta dimë përafërsisht se ku duhet të shkojmë e të bëjmë ndonjë kontroll. Por ne i kemi bërë ftesë të gjithë qytetarëve që në simptomat e para ata menjëherë të paraqiten në QKMF ose edhe në QKUK në mënyrë që të bëjnë analizat e nevojshme”, tregoi Rudari.

Sipas tij, asnjë anëtarë i familjes së personit të infektuar me koronavirus akoma nuk ka bërë ndonjë analizë të gjakut dhe se analizat e tilla pritet t’i bëjnë gjatë ditës së sotme, por që siç theksoi Rudari, familjarëve i është kërkuar që të bëjnë vizita shtesë në Qendrat e Mjekësisë Familjare.

“Sipas informatave të mjekes epidemiologe, ajo vet ka qenë në ekip dhe fillimisht kanë biseduar, pastaj i kanë kontrolluar anëtarët e tjerë të familje në mos kanë simptoma dhe me sa e di unë, nuk janë vërejtur simptoma të qarta që dikush mund të jetë i prekur nga koronavirusi, por gjithsesi anëtarët e familjes janë udhëzuar që të bëjnë vizita shtesë në QKMF dhe pastaj sipas vlerësimit të mjekëve kompetent të dërgohen tutje për të bërë analiza. Mbrëmë nuk kanë bërë analiza të gjakut, por sot besoj që do t’i bëjnë edhe anëtarët e tjerë të familjes”, theksoi Rudari.

Duke e parë situatën që është krijuar në Komunën e Podujevës, Rudari ka bërë të ditur për lajmi.net, se kanë kërkuar mbështetje nga Ministria e Shëndetësisë për furnizim me pajisje mbrojtëse, pasi që siç theksoi ai, deri më tani me buxhet komunal kanë siguruar mjetet e nevojshme mbrojtëse për personelin mjekësor.
“Po kemi kërkuar ndihmë nga Ministria e Shëndetësisë. Në fakt ne këto aktivitete i kemi filluar qysh prej 26 shkurtit, kur e kemi caktuar pikën në Merdare, pikën e kontrollit shëndetësor me një ekip mjekësor, do me thënë katër ekipe mjekësore kanë punuar 24 orë. Kemi kërkuar në vazhdimësi prej Ministrisë së Shëndetësisë me na mbështet në aspektin e furnizimit me pajisje mbrojtëse dhe me gjëra të tjera. Deri më tani fatkeqësisht ne kemi marrë një mbështetje shumë të vogël nga ministria, kemi marrë diku 90 maska dhe një sasi të dezinfektantëve. Por ne si komunë nuk kemi ndenjur duarkryq, menjëherë kemi zhvilluar procedura, kemi blerë mbi 1 mijë maska për punëtorët shëndetësor dhe për të tjerët, pastaj kemi blerë bluza mbrojtëse, doreza, syze do me thënë me buxhet të komunës, por ne vazhdimisht edhe sot prapë është ngritur si shqetësim në bord që të kërkohet nga ministria, gjëgjësisht nga qeveria që t’na mbështes konkretisht me mjete shtesë dhe mjete mbrojtëse”, theksoi Rudari.

I pari i Podujevës ka treguar për lajmi.net, se mëngjesin e sotëm kanë zhvilluar takim me shtabin “ad-hock”, për parandalimin e koronavirusit dhe kanë marrë masa të ndryshme, duke filluar nga dezinfektimi i hapësirave të ndryshme publike.

Rudari ka thënë se është bërë edhe shkurtimi i orarit të punës nëpër markete dhe në komunë.

“Po ashtu sot në mëngjes në ora 08:30, unë si kryetar i komunës e kam thirrur menjëherë shtabin dhe prapë jemi takuar ku janë mjekë, policë, dhe të tjerë dhe jemi marrë vesh për aktivitetet shtesë që duhet t’i ndërmarrim. Kemi filluar me dezinfektim mbrëmë të hapësirave publike, objekteve me interes të veçantë, komunës, gjykatave, policisë, qendrave të mjekësisë familjare, emergjencës etj,. Këto janë veprimet e para që kemi ndërmarrë. Pastaj menjëherë kemi pasur mbledhjen e bordit të drejtorëve dhe një prej vendimeve ka qenë që marketet e mëdha dhe të vogla të produkteve ushqimore ta shkurtojnë orarin e punës nga ora 08:00 deri në ora 20:00. Pastaj kemi marrë vendim po ashtu që në administratën komunale t’i reduktojmë shërbimet dhe numrin e punëtorëve dhe do të mbahen vetëm shërbimet që janë të domosdoshme për t’u ofruar shërbim qytetarëve. E kemi shkurtuar edhe orarin e punës në komunë, nga ora 08:00 deri në ora 13:00, për shkak që punëtorët nuk kanë ku ushqehen në kohë të pauzës. Pra këto janë vendimet që kemi marrë dhe po punojmë në zbatimin e tyre”, ka bërë të ditur Rudari.

Duhet thekuar se deri më tani në Kosovë numri i të prekurve me koronavirus ka arritur në 13 dhe komuna e cila ka më së shumti të prekur është Vitia me gjithsej shtatë persona të infektuar me koronavirus.