Duka: Qytetarët dhe shërbimet i respektojnë rekomandimet, të mos krijohet panik dhe frikë

Kaluam edhe një natë të qetë, pa probleme në qytet. Rekomandimet e kompetentëve kryesisht po respektohen. Jemi të kënaqur nga situata sepse kjo do të ndikojë shumë në ndërprerjen e përhapjes së koronavirusit, deklaroi kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, i cili njëherit udhëheq edhe me Shtabin Operativ pasi të premten në komunat Dibër dhe Qendra Zhupë ishte shpallur gjendje krize me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit pas pacientëve pozitivë të regjistruar nga ka rajon.

“Nuk ka të infektuar të ri, shpresojmë që kështu do të jetë edhe më tutje. Furnizimi me artikuj ushqimorë dhe artikuj të tjerë dhe ilaçe po realizohet pa probleme. Apeloj të vazhdohet me respektim të rreptë të rekomandimeve dhe të mos krijohet panik dhe frikë. Në Spitalin e Përgjithshëm filloi me punë ekipi i punës që arriti nga Shkupi dhe bashkë me ekipet tona është në terren në zbulimin e rasteve të reja eventuale dhe ndjekjen e të sëmurëve, hapjen e stacionarit. Domethënë, të gjitha masat shëndetësore janë ndërmarrë, me qëllim infeksioni të jetë nën kontroll”, tha Duka.

Duke theksuar se Ndërmarrja Publike Komunale “Standard” po kryen larje të rregullt të rrugëve dhe largimin e mbeturinave, apeloi se është shumë e rëndësishme, qytetarët mbeturinat t’i vendosin në qese najloni dhe t’i vendosin në vendet e caktuara për këtë.

Nga Kryqi i Kuq e kanë informuar se kanë pranuar shumë thirrje nga qytetarë të cilët kërkojnë ushqim, veshmbathje dhe ilaçe, duke sqaruar se ushqim dhe ilaçe iu dërgohen vetëm familjeve të cilat janë në izolim shtëpiak. Duhet të arrijë ndihmë humanitare në depon e Kryqit të Kuq, pas çka,bëri të ditur, do të bëhet shpërndarje sipas kritereve.
Si Shtab Operativ do të kërkojnë nga Qeveria që të zgjidhet situata sa i përket kërkesës së fabrikave dhe blegtorëve për regjim të lëvizjes siç ka fabrika “Knauf”.

“Dëshiroj ta theksoj kërkesën e fabrikës për ambalazhim të ujit ‘Maja’, fabrika ‘Di-gips’ dhe blegtorët të cilët kërkojnë tretman të njëjtë si fabrika “Knauf”, gjegjësisht regjim të lëvizjes siç është për Knauf ashtu të jetë edhe për ata. Ata paralajmërojnë se do të protestojnë nëse nuk realizohet kjo. Për këtë, si Shtab Operativ kërkojmë nga Qeveria e RMV-së që ky problem të zgjidhet”, tha Duka.