Duka: Mes rasteve të reja të të infektuarve në fazën e dytë të pandemisë, shumica të rinj

Kryetari i komunës së Dibrës, Hekuran Duka në pres konferencën e rregullt të së premtes ka shprehur brengosje lidhur me gjendjen epidemiologjike me Kovid-19 në komunë.

“Gjatë kësaj jave janë marrë 35 mostra, prej të cilave gjashtë janë pozitive, tre negative, ndërsa për të tjerat pritet rezultati pasdite dhe eventualisht nesër. Në fazën e dytë të pandemisë kemi gjithsej 38 të infektuar, një u shërua, ndërsa të tjerët janë aktivë në sëmundjen, prej tyre megjithatë shtatë janë në mjekim në Shkup”, tha Duka.

Brengosjes ia shtoi edhe vlerësimin e organeve kompetente se vijnë “ditë më të këqija lidhur me përhapjen e virusit dhe presim që gjatë ditëve në vijim të kemi më shumë të infektuar, më shumë persona të sëmurë, por dëshirojmë të mos kemi humbje të mëdha të jetëve”.

Sipas Dukës, personat e sapoinfektuar janë kryesisht popullatë e re, nxënës dhe studentë.

“Njëzet deri 30 për qind nga të infektuarit kanë pasur kontakt në qytete tjera në vend, për shkak të obligimeve që i kanë pasur dhe duhej të udhëtonin. Shumica e të infektuarve janë popullatë e re, nxënës dhe studentë, të cilët manifestojnë simptome të patologjisë me Kovid-19, siç është temperaturë e lartë trupore, ethe, dhembje në muskuj, ndërsa ka edhe me kollitje të rëndë dhe frymëmarrje të rëndë”, tha ai.

Sipas tij, masat restriktive pothuaj nuk ekzistojnë, për këtë shkak, theksoi, na mbetet neve vet të kujdesemi për shëndetin tonë dhe të tjerëve.

“Duhet të vetmbrohemi me respektimin e protokolleve të parapara, mbajtjen e distancës, mbajtjen e maskave dhe dezinfektim më të shpeshtë të duarve”, tha Duka, i cili udhëheq edhe me Shtabin operativ komunal.