Duka: Loja e Kombëtares më zhgënjeu

Humbja me Lituaninë në shtëpi nuk është pritur mirë nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Ai tha se ekipi duhet ta kishte vlerësuar kundërshtarin siç duhet.
“Zhgënjeu jo vetëm në rezultat, por nuk dha gjë në fushë. Nuk mendoj që ishte vetëm lodhja që padyshim ndikoi por përqendrimi për të vlerësuar çdo lloj kundërshtari. Për t’u kthyer me këmbë në tokë, për ta fituar ndeshjen në fushë dhe jo vetëm për ta menduar përpara. Kjo vetëkënaqësi na penalizoi. Që të jesh skuadër e madhe duhet të kesh përqendrimin e duhur, pikërisht për këtë nuk jemi skuadër e madhe, duhet të përqendrohemi maksimalisht, të japim mbi 100%. Nëse hyjmë në fushë si gjeneralë patjetër që do të dalim të turpëruar”.

Gjithsesi Duka mendon që duhet parë me tej, pasi shanset për ta mbyllur në vendin e parë në grup në Ligën e Kombeve janë akoma.
“Duhet t’i lemë pas dhe të shikojmë përpara, të shikojmë ndeshjet e tjera, vazhdojmë të jemi pretendent për ta udhëhequr grupin por duhet të bëjmë rezultat pozitiv në Kazakistan dhe Lituani”.
Të gjithë ekipet e grupit tonë janë në të njëjtën kuotë pikësh, nga 3 pas 2 ndeshjeve të para të zhvilluara në Ligën e Kombeve. Deri në fund të aktivitetit janë edhe 4 takime.