Duka i bën apel Qeverisë për mjete mbrojtëse për punonjësit shëndetësorë

Kryetari i Komunës së Dibrës, Hekuran Duka, i cili është duke e drejtuar Shtabin operativ zgjedhor, në takimin e sotëm të rregullt me gazetarët, i bëri apel pushtetit qendror të sigurojë mjete mbrojtëse për personelin shëndetësor në qytet.

“Dje janë testuar 19 persona prej të cilëve tre janë pozitiv ndaj koronavirusit. Kam informacione se të tre janë punonjës shëndetësorë. Prandaj vlerësojmë se punonjësit shëndetësorë nuk janë të mbrojtur siç duhet. Kërkojmë që pushteti qendror të jetë më ekspeditiv për kërkesat tona, pasi mjetet aktuale janë të improvizuara dhe jo mjete adekuate”, tha Duka.

Paraprakisht koronavirusi u konfirmua tek dy mjekë dhe dy infermiere nga ambulanca private e Pediatrisë. Duhet përmendur se dy pediatrit amë kanë qenë në kujdestari edhe në Shërbimin emergjent të Spitalit të Përgjithshëm.

Shtoi se 77 persona janë në izolim shtëpiak dhe rregullisht kontrollohen nga pjesëtarët e MPB-së nëse janë duke e respektuar rekomandimin për vetizolim.

“Me angazhimin tonë maksimal, kërkesa, kontakte të vazhdueshme me pushtetin qendror, problemi me lëvizjen e firmave dhe blerjen e qumështit në Dibër është tejkaluar. Pritet të tejkalohet edhe problemi me shtetasit e Maqedonisë të cilët mbetën të ngujuar në Dibër për çka vendim duhet të sjellë Qeveria në seancën që duhet ta mbajë sot”, deklaroi Duka.

Sipas tij, në pikat kontrolluese janë lëshuar 47 automjete me artikuj ushqimorë dhe produkte të tjera dhe medikamente dhe shtoi se nuk ka kurrfarë problemi në furnizimin e qytetit me artikujt dhe barërat e nevojshme.

Theksoi se vazhdon dezinfektimi i sipërfaqeve publike, objekteve dhe rrugëve nga Ndërmarrja Publike Komunale “Standard” për çka si ndihmë janë edhe të punësuarit në Njësitin Territorial të Zjarrfikësve.

I falënderoi të gjitha organizatat humanitare, firmat dhe individët të cilët kanë ofruar ndihmë si dhe edhe njëherë u bëri apel t’i respektojnë rekomandimet e autoriteteve.

“I bëj apel Qeverisë të jetë më ekspeditive në realizimin e kërkesave tona pasi për ne në Dibër janë shumë të rëndësishme orët dhe minutat dhe jo ditët”, porositi Duka në fund të konferencës për shtyp.