Driton Sulejmani reagon për rastin “Monstra”, i padrejtë gjykimi i përjetshëm ndaj shqiptarëve

Driton Sulejmani nga partia Alternativa ka reaguar ndaj rikthimit në rigjykim të rastit “Monstra” dhe dënimit me burgim të përjetshëm të shqiptarëve të akuzuar në atë rast.
Në vijim po ju përcjellim reagimin e plotë të tij:

Populli shqiptar në këto troje shekullore shqiptare, gjithë këto vite të ekzistencës së këtij shteti të quajtur Republika e Maqedonisë së Veriut, por edhe më parë, padrejtësisht ka vuajtur dhe vazhdon të vuaj diskriminime nga më të ndryshmet, të cilat mund ti grumbullojmë në tri diskriminime sistematike: të përfaqësuarit në kushtetutë, të anashkaluarit në buxhet, dhe të persekutuarit në drejtësi. Edhe pse autokton në këto troje edhe me përqindje demografike pothuajse të barabartë me etnitetin maqedon, kushtetuta e këtij shteti vazhdon të na llogarit si minoritet e gjuhën tonë si përqindje.

Diskriminimi gjatë privatizimeve kri*minale gjatë kohës së tranzicionit ka lënë dëme të thella në zhvillimin e shoqërisë tonë, por më e keqja edhe buxhetet e deritanishme pa përjashtim kanë qenë diskriminuese dhe anashkaluese për shqiptarët edhe pse njejtë sikur etnitetet tjera edhe ne jemi taksapagues të rregullt por edhe kontribues përmes remitencave në buxhetin e shtetit. Dhe e fundit persekutimet dhe gjykimet me standarde të dyfishta nga ky sistem i kalbur, antishqiptar, shovenist dhe racist gjyqësorë që nuk po ndalet duke prishur jetëra njerëzish vetëm se i përkasin një etnie tjetër.

Rastet e montuara politike kundrejt shqiptarëve janë aq të shumta në numër sa që vetëm një idiot do ta pohonte të kundërtën. Si është e mundur të gjykohen njerëz me mungesë të dukshme të provave me burgime të përjetëshme edhe me shqiptime të burgimeve drakonike kur i akuzuari është shqiptarë, e në anën e kundërt kur i akuzuari është maqedonas dënimet të jenë qesharake edhe në shumë raste edhe të falur. A nuk mjafton fakti se njerëzit të cilët për 10 vite i avulluan mbi 5 miljard dollarë( gati dy buxhete të këtij shteti) dhe shumë krime tjera monstruoze, njëri të shëtitet në Budapest e tjetri të shkëlqejë edhe më tutje me bizneset e tij dhe akuzën e vetme ta ketë për prishje të vendvotimit( dëshmi e mjaftueshme përgjimi i para 2 ditëve ku bëheshin negociata për pajtim të palëve).

Fatkeqsisht të gjitha këto vite të pluralizmit politik, marrur parasysh të lartëpërmendurat padyshim që janë dështim politik i përfaqësuesve të deritanishëm të cilët kanë patur fuqi të mjaftueshme politike nga populli dhe më shumë janë kujdesur për politika ditore dhe rejtingjet e partive të tyre se sa për gjetjen e zgjidhjeve për këto probleme sistematike. Gjendja ka degraduar sidomos pas vitit 2006 e këndej.

Nëse dëshirojmë që ta ndryshojmë këtë gjendje së pari duhet të ndalojmë së votuari partitë shqiptare që janë dëshmuar me servilim edhe ndaj të djadhtës edhe ndaj të majtës maqedonase dhe e dyta duhet të ndalojë edhe servilosja individuale e shqiptarëve ndaj eksponentëve dhe partive maqedonase për realizim të interesave të ngushta individuale, sepse me vepra konkrete po dëshmohet se halli i partive maqedonase është vetëm vota shqiptare dhe asgjë më tepër se kaq. Sa më herët që e pranojmë këtë dhe reflektojmë aq më mirë, sa më vonë që e pranojmë këtë aq më keq.